e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Takaj diplomat, ja çfarë thotë për batutat e Gjicit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Takaj diplomat, ja çfarë thotë për batutat e Gjicit

Batutat mes presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj dhe atij Kukësit, Safet Gjici kanë nisur që në momentin e hedhjes së shortit për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.takaj Atëherë dy drejtuesit thumbuan njëri-tjetrin për objektivat që kishin në kampionat, por me sa duket ngacmimet nuk kanë të mbaruar. Për më tepër ato vijnë në një moment delikat, pasi dy skuadrat do të luajnë me njëra-tjetrën në fundjavë në Kukës.

I pari që ka hapur serinë e ngacmimeve ka qenë presidenti Gjici, i cili, i ftuar në festimet e 70-vjetorit të klubit të Partizanit, u ka premtuar tifozëve të kuq se skuadra e tij do të fitojë ndaj Partizanit. Ai gjithashtu u ka thënë se Skënderbeu tani të rrijë me Laçin, duke aluduar për një aleancë mes dy klubeve.

Reagimi - I kontaktuar nga "Panorama Sport", presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, nuk ka dashur që t'i kthejë përgjigje Gjicit të paktën për momentin. "Aktualisht, unë dhe skuadra jemi të përqendruar te ndeshja ndaj Laçit, që është e vlefshme për Kupën e Shqipërisë.

Të kalojmë një herë këtë sfidë dhe përpara ndeshjes së fundjavës që do të luajmë me Kukësin do t'ia kthej batutën mikut tim, presidentit të Kukësit, Safet Gjici", ka qenë deklarata e Takajt, i cili ka zgjedhur të bëjë edhe rolin e diplomatit në këtë rast.

Batutat mes dy presidentëve pritet që të shtojnë edhe më shumë rivalitetin mes dy skuadrave në fushë. Për Skënderbeun rezultati i këtij takimi do të jetë mjaft i rëndësishëm dhe objektiv kryesor mbetet fitorja.