Takaj: Skenar i Partizanit, bëjnë presion tek arbitrat
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ardjan Takaj në kundërsulm. Presidenti i Skënderbeut akuzon klubin e Partizanit se ushtron presion ndaj gjyqtarëve, pasi ka një skenar në këtë fund kampionati.
Dje në një intervistë për "Panorama Sport", kreu i klubit korçar i është kundërpërgjigjur akuzës që bënë të kuqtë se ishte Takaj ai që zgjodhi gjyqtarin Enea Jorgji në ndeshjen kundër Partizanit. Presidenti e cilëson si një provokim të Partizanit për të mbajtur nën trysni gjyqtarët në ndeshjet e mbetura të kampionatit.
Takaj mendon se titulli tashmë është vulosur dhe sipas tij, vetëm nëse korçarët duan vetë ta humbin, atëherë mund të fitojë Partizanit.
Për këto, por jo vetëm, ja si u shpreh dje presidenti i Skënderbeut:
Zoti Takaj, dy ditë pas ndeshjes në kryeqytet, klubi i Partizanit akuzon se keni bërë ju zgjedhjen e gjyqtarit Enea Jorgjit për atë takim. Cili është reagimi juaj?
Unë asnjëherë nuk jam marrë, nuk merrem dhe nuk do të merrem kurrë me arbitrat. Nuk i caktoj unë gjyqtarët në ndeshje të Skënderbeut, janë të tjerë ata që merren me këtë punë. Dhe nëse ju doni të zbuloni këtë, atëherë flisni me arbitrat, gjithnjë nëse FSHF i lejon të tregojë se cilët janë ato klube që merren me këtë punë. Kjo është e gjitha që mund të them për këtë çështje, nuk jam unë ai që caktoj arbitra.
Gjithsesi, klubi i kuq insiston për këtë çështje?
Mbase mund të jenë edhe deklarata emocionale, por më shumë është një skenar i Partizanit, pasi ka javë që merret me kundërshtime dhe ankime karshi arbitrave. Ndoshta është një mënyrë e tyre për të ushtruar presion ndaj arbitrave në këto javë të fundit të kampionatit.
Ju mendoni se arbitri nuk ndikoi në barazimin 1-1 ndaj Partizanit?
Të gjitha ata që kanë dyshime, të shikojnë të gjithë takimin hap pas hapi dhe të dalin në konkluzione, se ku ka gabuar arbitri dhe për cilin ekip ka gabuar më shumë. Të jeni të bindur se ajo penallti që është dhënë për Partizanin, nëse do të jepej në favorin tonë, do të ishte bërë nami në Shqipëri. Megjithatë, tashmë nuk dua të merrem dhe të diskutoj më për Partizanin, pasi nuk jam marrë ndonjëherë me ta.
Tashmë, pas barazimit në ndeshjen direkte, duket më afër titulli i gjashtë radhazi për Skënderbeun. Të njëjtin mendim keni?
Mund të them se tani pas këtij takimi fatin e kampionatit e kemi plotësisht në dorën tonë. Nëse duam ne vetë, mund ta humbim atë, në të kundërt jo. Këtë e kisha thënë që më parë, por pas barazimit të marrë në Tiranë forcohet edhe më shumë kjo bindje. Ne e kemi titullin në dorën tonë, kjo është e gjitha.
Në dhjetë takimet e mbetura do të luani gjashtë në shtëpi, ku prisni edhe Partizanin. Kalendari ju favorizon?
Sigurisht, sepse kur ke për të luajtur gjashtë takime në shtëpi dhe katër në transfertë, puna bëhet më e thjeshtë. Në Korçë jemi më të fortë, por nuk e kemi pasur problem edhe në transfertë. E kemi treguar se dimë të luajmë mirë dhe të fitojmë në çdo fushë. Nëse do ta krahasojmë me sezonin e kaluar, keni 6 pikë më shumë në renditje.
Është ky Skënderbe më i fortë se vjet?
Po, është e vërtetë që kemi gjashtë pikë më shumë, madje edhe shumë më shumë gola të shënuar se sezoni i kaluar në të njëjtën periudhë. Nuk do shumë për t'u kuptuar që jemi më mirë, sepse ne kërkojmë që çdo vit të përmirësohemi. Nuk mund të them se sezonin e kaluar ekipi ka qenë më i dobët, pasi fituam një kampionat shumë më të luftuar se ky, që kishte tre rivalë për titull dhe që u diskutua deri javën e fundit.
Këtë javë kundër Flamurtarit, sa i druheni një ekipi që ka cilësi, por që vuan luhatjet në kampionat?
Flamurtarin e respektojmë, sepse vërtet është një ekip për t'u respektuar. Është një ekip që ndaj klubeve që luftojnë për vendet e para luan shumë herë më mirë dhe të hap punë. Prandaj, skuadra duhet të jetë e përqendruar te ky takim dhe të mendojë vetëm për lojën.
I druheni euforisë së ekipit pas rezultatit të fundit në kryeqytet?
Nuk mendoj se ka vend për eufori te Skënderbeu. Ne morëm thjesht një barazim në ndeshjen kundër Partizanit dhe kaq ishte e gjitha. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës dhe të mos e kemi mendjen tek ato që kanë kaluar. Përveç luftës për kreun, po zhvillohet edhe një garë e fortë për mbijetesën.
Fakti që janë 3-4 ekipe që luajnë për t'i shpëtuar rënies, e bën më të vështirë rrugën drejt titullit?
Keni të drejtë për këtë konstatim, sepse bëhet fjalë për ekipe që do të luajnë çdo takim sikur të jetë i fundit për ta, pasi kanë nevojë për pikë. Ne jemi të vetëdijshëm se çdo ndeshje duhet të interpretohet me përqendrimin e duhur. Asnjëherë nuk i nënvlerësojmë kundërshtarët nga pozicioni që kanë në renditje, pasi të gjithë kanë dëshirë për fitore.
Nga kampionati te Kupa, duke qenë se ndodheni në këto pozita, mendoni se është viti i duhur për të dy trofetë?
Sigurisht që po. Ne kemi objektivat tanë që janë si kampionati, ashtu edhe Kupa. Kupa është trofeu i vetëm që na mungon dhe mendojmë se këtë vit do të bëjmë çmos për të arritur ta sjellim në Korçë edhe Kupën. Por, gjithçka do ta vlerësojmë hap pas hapi. Së pari, duhet të njohim kundërshtarin për gjysmëfinalen, e më pas të mendojmë për Kupën.
Përgatiti: LLAZI SARO