Dervishi: Osmani klloun, Xhani De Biazi po gabon
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndeshja mes Partizanit dhe Skënder beut e përfunduar në barazim vazhdon të prodhojë polemika. Pas dy ditësh në heshtje nga kampi i kuq, vjen dhe kundërpërgjigjja për mbrojtësin e Skënderbeut, Tefik Osmani, i cili pas sfidës në kryeqytet u shpreh se Partizani kishte frikë ekipin e tij dhe një ditë më pas bëri një tjetër postim ironik në rrjetin social "Facebook".
Në një prononcim për "Panorama Sport", drejtori i Përgjithshëm i Partizanit nuk është kursyer aspak në deklaratën e tij karshi lojtarit.
"Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit nuk merret me 'Facebook' dhe lojtarë, që nuk dinë as të gë- zojnë dhe as të respektojnë kundërshtarët në rastin e shënimit të golit. Për mua kjo kategori lojtarësh është klloun cirku", është shprehur Dervishi në reagimin e tij. Në vazhdim të deklaratës së tij, drejtori i të kuqve ka falënderuar skuadrën për atë që ka dhënë në fushën e blertë ndaj ekipit të vendit të parë.
"Sa i takon ndeshjes me Skënderbeun, dua që të falënderoj maksimalisht skuadrën time për atë që ka dhënë në fushën e lojës. Por, gjithashtu nuk dua të lë pa përmendur edhe tifozët tanë për mbështetjen e vazhdueshme që po na japin. U bëj thirrje që të vazhdojnë të jenë pranë ekipit, pasi asgjë nuk ka ndryshuar.
U premtoj se ky grup lojtarësh ka për t'i bërë krenarë gjithmonë. Ne si klub dhe presidenti Demi ju falënderojmë", ka thënë Dervishi, duke u bërë një ftesë mbështetësve të kuq që të jenë sa më të shumtë në ndeshjen ndaj Teutës, që do të luhet të dielën në transfertë. "Ashtu si në ndeshjen me Skënderbeun, të gjithë bashkë duhet të jemi në Durrës, ku vazhdon rrugëtimi ynë drejt ëndrrës së madhe, për të fituar titullin kampion.
Jam i bindur se të gjithë bashkë mund të bëjmë gjithçka në këtë sezon, por me këtë skuadër që kemi në dispozicion, të hedhim edhe bazat e forta për sezonin e ardhshëm", përfundoi drejtori i të kuqve, në lidhje me ngjarjet e fundit në skuadër, si dhe polemikat që kishte hapur Osmani me deklaratat e tij në media.
Këshilla
Gjatë prononcimit të tij, Dervishi nuk i ka kursyer në njëfarë mënyre edhe kritikat në lidhje me zgjedhjet e lojtarëve që ka bërë trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, për ndeshjet miqësore që do të luajnë kuqezinjtë ndaj Austrisë dhe Luksemburgut.
"E kuptoj që lojtarët të cilët grumbullohen janë ekskluzivitet i trajnerit dhe kjo është një më se e drejtë, por trajneri De Biazi nuk mund ta shpërfillë në asnjë mënyrë kampionatin Shqiptar. Ai është trajner i Kombëtares kuqezi dhe duhet të ketë një vëmendje më të madhe në drejtim të Kategorisë Superiore.
Kam parë listën për dy ndeshjet e radhës miqësore që ekipi ynë do të luajë dhe shoh vetëm dy lojtarë nga Kategoria Superiore. Mendoj se një gjë e tillë nuk është normale. Kombëtarja jonë duhet të ketë më shumë lojtarë nga kampionati shqiptar, sidomos për një ndeshje miqësore. Kjo edhe në shenjë respekti për të gjithë. Them kështu, pasi federata investon në terrene sportive, presidentët e klubeve kanë rritur nivelin, lojtarët janë të kërkuar në treg dhe në fund hidhet gjithçka poshtë, pasi në Kombëtare shkojnë vetëm dy portierë.
Një gjë e tillë nuk mendoj se është normale dhe lojtarët e Superiores e ata që punojnë këtu, mendoj se duhet të kenë më shumë respekt nga De Biazi. Nuk mendoj se Veseli i Luganos, me gjithë respektin që kam për të dhe ekipin ku ai luan, është më i mirë se Fejzullahu, apo Latifi i Skënderbeut. Gjithashtu, mendoj se kampionati zviceran është më i dobët se Kategoria Superiore", tha Dervishi në lidhje me listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri De Biazi.
"E theksoj se De Biazi ka gjithë të drejtën për të zgjedhur lojtarët për në Kampionatin Europian, por për në ndeshjet miqësore duhet të kishte më shumë emra nga kampionati shqiptar", vazhdoi drejtori i Partizanit, që gjithashtu shpreh habi për faktin se përse De Biazi nuk ndoqi ndeshjen mes Partizanit dhe Skënderbeut.
"Luanin dy ekipet më të mira të kampionatit, vendi i parë me të dytin dhe trajneri nuk ishte në stadium për ta parë. Ndërkohë që dy ditë më parë ishte në Shqipëri, por për të marrë një dekoratë, jo për të ndjekur një ndeshje futbolli. Është e çuditshme dhe të them të drejtën me vjen shumë keq që një gjë e tillë ndodh, pasi trajnerit nuk i kushtonte gjë të ishte i pranishëm në këtë sfidë, por me sa duket në vendin tonë po i shijojnë më shumë dekoratat që po merr, pa u interesuar për lojtarët që luajnë këtu.
Po u jep gjithmonë e më shumë avantazh lojtarëve që luajnë jashtë dhe një gjë e tillë nuk mendoj se është e drejtë", ka përfunduar Dervishi, i cili është treguar mjaft i ashpër sa i takon trajnerit të Kombëtares Shqiptare, duke kërkuar më shumë respekt për Kategorinë Superiore.
Përgatiti: ARMAND HALILI