e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Takaj: Partizani sna tremb, Shkëmbi ka pranuar stolin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Takaj: Partizani sna tremb, Shkëmbi ka pranuar stolin

Fitorja në Laç i ka dhënë mundësinë Skënderbeut që ta mbajë të pandryshuar kreun e renditjes, duke ruajtur diferencën prej katër pikësh me Partizanin.takaj Teksa vijojnë përgatitjet për takimin e radhës kundër Teutës që do të luhet në Korçë këtë mesjavë, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i konsideron të gjitha ndeshjet si finale.

Numri një i bardhekuqve ka komentuar edhe rivalitetin për titull, duke bërë të ditur se fitorja e derbit e "demave" nuk e tremb Skënderbeun.

Gjithashtu ai ka hedhur poshtë fjalët për ftohje të raporteve mes drejtuesve të klubit dhe kapitenit Shkëmbi. Takaj ka folur për "Panorama Sport" edhe për rinovimet e fundit në ekip.

President, ta nisim nga çështja "Shkëmbi". Flitet se ka pasur një ftohje me drejtuesit. Si është e vërteta?

Duke qenë se dhe ju më pyetët, unë po ndalem që ta sqaroj këtë çështje për të gjithë. Nuk ka pasur asnjë ftohje me Shkëmbin, apo me ndonjë lojtar tjetër te Skënderbeu. Nuk është një çështje personale me Shkëmbin. Ai ka qenë kapiteni legjendar i ekipit në këto pesë vite të suksesshme dhe ne e vlerësojmë për një gjë të tillë. Madje, e them me bindje se Shkëmbi është pjesë e rëndësishme e jona. Nuk ka pasur asnjë qejfmbetje dhe nuk është diçka personale. Thjesht për momentin nuk po luan ai, por dikush tjetër në atë pozicion, pasi dihet se kemi shumë alternativa. Prandaj, në të tilla pozicione çdokush duhet të pranojë dhe stolin.

Nga Shkëmbi te rinovimi i Lilajt. Pse klubi zgjodhi t'i ofrojë rinovim për dy vite e gjysmë?

Lilaj është një pjesë shumë e rëndësishme e Skënderbeut dhe, për këtë arsye, së bashku me boshtin e ekipit janë një siguri për ne. Skënderbeu në këtë moment ka filluar që të aplikojë kontratat afatgjata dhe nuk është vetëm Lilaj që po e nënshkruan atë, por do të ketë edhe shumë lojtarë të tjerë. Sigurisht që kjo ishte lëvizja jonë për ta mbajtur ekipin të pandryshuar.

Po aplikoni rinovimet ashtu si dy sezone më parë, në mes të kampionatit...

Po, është e vërtetë. Duam që të mbyllim rinovimet para fundit të kampionatit, me qëllim që më pas të jemi më të përqendruar tek Europa dhe të mos merremi me të tilla bisedime. Shumë shpejt do të ketë edhe rinovime të tjera në ekipi, që do të jenë afatgjata.

Të kalojmë te kampionati. Ju tremb fitorja e Partizanit në derbi?

Jo, aspak. Nuk na tremb Partizani. Ndeshjen e kemi parë të qetë dhe nuk është se kemi ndonjë presion të madh nga ta pas kësaj fitoreje. Ne s'merremi fare me atë që bëjnë kundërshtarët. Shohim vetëm rezultatet tona dhe ecim përpara. Me Partizanin kemi edhe dy duele të drejtpërdrejta dhe do të shohim atje se çfarë do të bëjmë. Vetëm atje do të mendojmë për ta.

Fakti që nuk përfituat dot një javë më parë për t'u shkëputur ju ka mërzitur disi?

Jo, aspak. Pashë ekipin në Ballsh dhe më pëlqeu mënyra sesi reagoi, edhe pse ishte me një lojtar më pak në fushë. Kampionati është ende i gjatë dhe duhen edhe 12 javë deri në fund të tij. Ne duhet që të shohim vetëm përpara dhe të mos e kthejmë kokën pas. Kjo është e rëndësishme për ne.

Kundër Laçit erdhi një fitore e rëndësishme ndaj një kundërshtari që u ka hapur shumë probleme. Ju gëzuat këtij trepikëshi të rëndësishëm?

Sigurisht që fitorja kundër laçianëve ishte mjaft e rëndësishme për ne. Kjo edhe për vetë faktin se kemi hasur problem gjithmonë me ta, ndonëse ajo e Laçit është një fushë e vështirë për të gjithë. Por, tani jo vetëm Laçi, po të gjithë ekipet janë forcuar ndjeshëm dhe kjo e bën akoma edhe më të fortë kampionatin.

Këtë mesjavë luani kundër Teutës. Sa e rëndësishme do të jetë kjo ndeshje për titullin?

Të gjitha ndeshjet që tani e deri në fund të kampionatit janë të rëndësishme. Ne duhet të dimë t'i bëjmë ballë, pasi kampionati është objektivi ynë primar dhe kështu duam që të jemi ne të parët në fund të sezonit. Pres që ekipi të luajë mirë, të tregojë lojë të bukur dhe të jetë i fokusuar vetëm te ndeshja. Shpeshherë keni bërë parashikime dhe ju kanë dalë.

Kur e mbyll Skënderbeu çështjen "titull"?

Kjo është diçka që nuk varet vetëm nga ne, por edhe prej rivalëve që na ndjekin. Ne do të përpiqemi të marrim me radhë çdo takim duke fituar dhe iu afruar titullit pak e nga pak. Nëse rivalët na e bëjnë më të thjeshtë duke u ndalur vazhdimisht, atëherë e fitojmë më shpejt. Por ne i bëjmë llogaritë vetëm me ecurinë tonë.