e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Nallbani: Tirana ka humbur traditën, Bashkia të zgjohet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nallbani: Tirana ka humbur traditën, Bashkia të zgjohet

Blendi Nallbani e cilëson të papranueshme që Tirana të mos fitojë në derbi në 8 ndeshje radhazi. Ish-portieri i të dyja skuadrave të kryeqytetit e thotë hapur që Partizani ishte superior, ndërsa ekipi bardheblu nuk funksionoi si një trup i vetëm të premten.blendi nallbani Sipas tij, problemi është më i thellë se kaq, madje ai i bashkohet mendimit të kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. "Tata" deklaron se bashkia duhet që të marrë përgjegjësitë e veta dhe të japë atë që i takon, në bazën e përqindjeve të aksioneve.

Sakaq, i del deri diku në mbrojtje Bakajt, pasi sipas tij dalja e tij nuk pati ndikim, duke qenë se golat ishin pësuar. Në intervistën e dhënë për "Panorama Sport", ish-gardiani i Tiranës "vë bast" se Europa nuk do të diskutohet, ndërsa i del në krahë presidentit pas kritikave të tifozëve.

Ju e patë në stadium derbin. Si e gjykoni humbjen e radhës të Tiranës?

Janë dy vite e një muaj më saktë, dhe unë e cilësoj të papranueshme një gjë të tillë. Nuk mbaj mend të ketë ndodhur kjo gjë. Ka pasur humbje, fitore apo barazime, por radhazi nuk kujtoj. 25 muaj janë realisht shumë. Kjo është e papranueshme në të dy kampet, në rastin konkret te Tirana.

Ia ka gjetur Partizani "çelësin" Tiranës...?

Derbi nuk ka favoritë, Partizani luante për titull, ndërsa Tirana për Europë. Mirë nuk më vjen që ka kaq shumë që nuk fiton, por këto janë punët e ekipit dhe s'kam në plan që të ndërhyj. Lojtarët vetë i kanë zgjedhur, vetë i kanë marrë dhe vetë i paguajnë, dhe kjo është puna e tyre sërish. Se është kundërshtari më i fortë, kjo është çështje tjetër.

Çfarë ju dogji më shumë, rezultati apo loja?

Nuk më dogji asgjë në fakt, pasi fitoi kush ishte më i forti. Arbitri s'pati ndikim dhe kjo duhet pranuar. Dua që të ndalem paksa edhe te rasti i Bakajt. Më erdhi keq në fakt.

E penalizoi dalja e tij Tiranën?

Në derbi justifikimet janë nga më të ndryshmet, më shave të shava, pak rëndësi kanë këto. Nuk dua që ta mbroj Bakajn, por s'është se ndikoi dalja e tij. Nuk ngeli puna tek ai, pasi Tirana ka 2 vite e 1 muaj që nuk fiton. Koha duket që në mëngjes. Unë kam bërë më keq se Bakaj kur luaja, jam zënë me grushte madje.

Problemi është më madhor se kaq?

Nuk dua që të ndërhyj thellë, t'ju them të drejtën. Halili ka harxhuar lekët e shpirtit, shtëpisë dhe gjakut për Tiranën dhe askush nuk e ka ndihmuar deri më sot. Është një biznesmen, ka një aktivitet dhe, me sa kam dijeni unë, me shtetin është në rregull. Por, mendoj se duke qenë edhe president i Tiranës, duhet që të ketë disa kredite edhe në bizneset e tij. Kur të ketë projekte ndërtimi, të jetë ndër të parët që të marrë lejet, pasi me sa di unë nuk është se ka pasur lehtësira.

Është përfshirë edhe politika në post-derbi...

Jam habitur nga reagimi i Petrit Vasilit, i cili kërkonte reagimin urgjent të Bashkisë së Tiranës. Unë jam një ndër mbështetësit e Refik Halilit, që në kohën kur u kthye klubi në sh.a. Jo pa qëllim kam ruajtur kontratat, janë 8 faqe, me firmë të Lulzim Bashës kryebashkiak dhe Aldrin Dalipit kryetar të Këshillit Bashkiak. Këtu është edhe lojë tjetër, pasi dihet që ne në Shqipëri ia pasojmë topin njëri-tjetrit. Bashkia ka 34%, ndërsa Halili 66%. Halili ka 10 vite që investon tek ekipi i Tiranës, por a ka të drejtën ai që të përdorë fushat e tjera dhe parkingun te stadiumi? Kjo do të ishte një ndihmesë. Këtu qëndron hileja, pasi ai nuk ka akses tek ato. E thënë shkurt, bashkia të japë kontributin e vet dhe Halili po ashtu. Mua më vjen keq për të, pasi Ridi është zhgënjyer nga ish-kryebashkiaku, ndërsa ky tjetri s'ka bërë asgjë.

Doja një analizë më të hollësishme të ndeshjes?

Portieri i Partizanit dy herë u vu në provë. E para kur Hoxha u ngatërrua me arbitrin në fundore dhe një tjetër me rastin e Likës, që prapë shkoi mbi tra. Nuk pati raste me pak fjalë, Partizani pastaj e pamë. Nuk ka nevojë për komente. Tirana nuk ishte një trup i vetëm. Nuk ishin unik, nuk ishin grup.

U pësuan dy gola shumë të shpejtë ama...

Mbaj mend një ndeshje, kur unë isha te Partizani dhe Tirana na ndëshkoi që në 23 sekondat e para. Por ne e kthyem atëherë, fituam 3-1. Unë nuk isha futur ende në portë dhe e pësova. Por, ndoshta ne asokohe kishim grintë dhe dëshirë për të përmbysur. Mirëpo, kjo është pjesë e lojës, pasi 2 gola i pëson kushdo aq shpejt.

Shumë luhatje nga ndeshja në ndeshje, pse nuk ka qëndrueshmëri Tirana?

Nuk është se kemi qenë burra më të mirë ne, por ne kur shkonim nëpër rrethe, kundërshtarët e pranonin se ne i rrihnim vetëm me fanellë. Ajo bluzë mjaftonte. Aktualisht lojtarët që e përfaqësojnë ekipin e Tiranës nuk e dinë dhe s'e kanë të qartë se çfarë fanelle mbajnë veshur. Tirana është një klub që ka 24 tituj dhe ka Kupa pa fund. Tirana të rreh me emër. Ka humbur tradita. Lojtarë të mirë ka, nuk i mungojnë. Por po të arrijë puna deri në këtë pikë, më mirë të aktivizojë çunin e vet, ose Sallakun, apo djalit e Nurit. Pasi janë lojtarë shumë të mirë. S'ke pse merr lojtarë të tjerë dhe të shpenzosh më kot, më mirë t'u besohet të rinjve.

Po largimit të sulmuesit pa kaluar një muaj, çfarë emri i vendosni?

U habita me të. Erdhi bëri një gol dhe mbas një jave iku. S'e kuptoj?! Nëse Tirana nuk merr pjesë në Kupat e Europës, do të ishte dështim i plotë. Dhe nuk duhet ta gjejë më problemin te trajnerët, pasi trajner të mirë ka pasur me bollëk, sikundër është Ilir Daja. Nuk ka çfarë bën ai. S'ka lojtarë, i mungojnë alternativat. Presidenti nuk ka se çfarë bën, pasi hedh lekët, kjo është detyra e tij. Ndaj, më vjen keq për fjalët e tifozëve, të cilët, nëpër "Facebook", kërkojnë largimin e presidentit. Në asnjë mënyrë. Ata faj nuk kanë, pasi janë mësuar me fitoret, duan që ekipi të kthehet në identitet. Nuk luan Halili në fushë, ai thjesht investon. Dhe në dijeninë time i ka dhënë të gjitha rrogat, nuk besoj se ka njeri që të dalë publikisht dhe të thotë s'na ka paguar, pasi ka qenë korrekt, madje edhe jashtë mundësive të veta.

Si i jepet zgjidhje kësaj situate?

E thashë dhe më lart, por e përsëris: Refik Halili duhet që të takojë kryebashkiakun. Sipas kontratës dhe vendimit të Këshillit Bashkiak, të përmbushin detyrimet e veta. Nëse i takon të japë një karamele, aq t'i japë, po e them troç dhe shkurt. T'i japin Cezarit atë që i takon Cezarit, kjo është e gjitha. Ridi të përmbushë detyrimet për 66% që i takon, ndërsa bashkia të japë të vetat. E kanë me letra. Nuk është ndihmë, por detyrim.

Europa ju duket mision i realizueshëm?

Kur u hodh shorti i Europianit kam qenë në TV dhe isha i vetmi që e thashë me bindje që ne do të shkonim në Francë dhe do të bënim surprizën. Askush s'më besoi dhe ja ku doli. Kur Tirana rrezikonte rënien, jam "grindur" me Fortuzin dhe i thosha që jo vetëm do shpëtonte, por do të shkonte në Europë. Këtu ngeca në fakt, vetëm tek Europa. Ata humbën me Kukësin dhe dolën jashtë këtij objektivi. Ndërsa tani "vë bast" sërish, që do të jenë pjesë e Ligës së Europës. E them me bindje këtë. Titulli është disi larg, ndaj nuk po shkoj deri aty.

Mendoni se Tirana do ta kalojë këtë shok psikologjik?

Është pak e rëndë, të mbledhin forcat. Të mos merren më me Partizanin, po të shohin ndeshjen e radhës. Edhe ne e kishim në kohën tonë "Amon, të fitojmë me Partizanin", sikur derbi të jep 30 pikë. Jo more jo, vetëm 3 pikë jep. Ndaj, mendoj se duhet përqendrim total te Flamurtari, kundërshtar që i eliminoi nga Kupa. Nuk është çështje "hakmarrje", por të shohin punën e vet. Vlonjatët i pamë dje (pardje), lanë nam me Tërbunin. Po tifozëve bardheblu çfarë note u vendos? Për tifozët më vjen keq, pasi e mbështesin Tiranën në çdo moment, pavarësisht rezultatit. Por edhe për Halilin dhe trajnerin Ilir Daja. Uroj që në ndeshjet e tjera të bëjnë autokritikën, të arrijnë Europën, pasi vetëm kjo jep shpresë për të ardhmen. Krijohet një bazë e mirë për sezonin tjetër.

E fundit, titullin kush e merr?

Skënderbeu po ecën mirë, vetëm gabimet e saj mund ta nxjerrin Partizanin kampion. Korçarët nuk po bëjnë ndonjë lojë të bukur, por po fitojnë. Në fund të fundit kanë marrë pikët dhe, për të qenë i suksesshëm, ato duhen.