Rikthehet Bicaj, mbrojtja mbetet sërish me mungesa
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Të kuqtë e trajnerit Andrea Agostineli morën një fitore të madhe në derbi, por ajo që spikati më shumë ishte angazhimi dhe paraqitja e lojtarëve në fushë duke treguar një formë të admirueshme fizike.
Prej muajsh nuk ishte parë një skuadër e tillë që gabonte pak dhe që vraponte nga minuta e parë deri tek e fundit. Gjithsesi, skuadra ka pasur mundësi që t'i rigjenerojë energjitë e shpenzuara në derbi, pasi fundjava ka qenë thuajse pa impenjime për lojtarët titullarë.
Pasojat e derbit do të mësohen më mirë sot, kur të nisë puna për transfertën e Ballshit. Gjithsesi, një gjë është e qartë se trajneri Agostineli nuk do ta ketë të plotë organikën për ndeshjen me Bylisin.
Dëmtimi që mori në derbi bën që Sukaj të mungojë në Ballsh, por shpresohet që të rikuperohet për Skënderbeun. Ditmar Bicaj ishte i pezulluar për derbin, por do të jetë i gatshëm për takimin e mesjavës.
Por mbrojtja nuk do të jetë e plotë sërish, pasi Labinot Ibrahimi është dënuar me 8 ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës pas debatit që pati me gjyqtarët në përfundim të takimit me Tërbunin.
Klubi ka deklaruar se do ta apelojë vendimin e dhënë për mbrojtësin kosovar, gjithsesi Ibrahimi konsiderohet mungesë edhe për Bylisin. Te të kuqtë çdo rol është i dubluar, kështu që problemet e momentit pritet të mos kenë ndikim për Bylisin, ndonëse Sukaj konsiderohet si një mungesë me peshë.