Takaj: Nuk ia prishim Gjicit, ja pse u shthurëm ndaj Vllaznisë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas kualifikimit në gjysmëfinale, te Skënderbeu është shtuar bindja se këtë herë do të fitojnë për herë të parë trofeun që i mungon klubit: Kupa e Shqipërisë.
Presidenti Ardjan Takaj, gjatë një bisede për "Panorama Sport", ka analizuar ecurinë fantastike të skuadrës në të dy kompeticionet dhe objektivat madhorë të klubit për këtë sezon.
Ai nuk ka harruar të thumbojë Partizanin, por gjithashtu të bëjë batuta me presidentin e Kukësit, Safet Gjici. Takaj beson se këtë vit çështja e titullit do të mbyllet shumë më shpejt se sezoni i kaluar.
Kampionati - Edhe pse i ndodhur katër pikë para Partizanit, kreu i klubit korçar nuk do që skuadra të shpërqendrohet. Sipas tij, është ende herët që të flasësh për titullin e gjashtë radhazi.
Takaj pranon se takimi kundër Tiranës nuk është vendimtar, por thjesht i rëndësishëm në kuadrin e tri pikëve. "Diferenca katër pikë kundër rivalëve na bënë të ndihemi komodë në luftën për titullin kampion. Normalisht që është një siguri për të vijuar të qetë garën drejt titullit të radhës, por për asnjë moment nuk kemi menduar që kampionati është mbyllur.
Përpara kemi një ndeshje kundër Tiranës, që mbetet takim mjaft delikat dhe tepër i rëndësishëm. Kurrsesi nuk është vendimtare për titullin kampion. Bardheblutë po qëndrojnë në garë për objektivat e tyre dhe kjo e bën të rëndësishme këtë ndeshje.
Megjithatë, në fund të fundit, mbetet një takim trepikësh dhe ka rëndësinë e vet, pasi për titullin ka ende shumë ndeshje përpara që duhet të luhen. Gjithsesi, duhet të jemi të motivuar dhe ta mbyllim sa më shpejt të jetë e mundur çështjen e kampionatit", deklaroi fillimisht presidenti Takaj.
Ndërkohë, i pyetur për atë shpërfytyrim të skuadrës në fundin e ndeshjes me Vllaznisë, Takaj u shpreh: "Ndeshja praktikisht kishte mbaruar që në minutën e 60- të kur po fitonim 2-0. Normalisht fillon edhe njëfarë lehtësimi nga ekipi, pasi kishim siguruar kualifikimin dhe të tilla gjëra ndodhin, pavarë- sisht se janë shpërqendrime që mund të kushtojnë shtrenjtë në një ndeshje".
Batutat - Numri një i klubit bardhekuq nuk ka lënë pas ironitë dhe batutat me rivalët. "Këtë vit ne kemi hyrë në kampionat vetëm për të qenë pjesëmarrës. Nuk kemi objektiv të fitojmë tituj, as kupën dhe as kampionatin. Duam vetëm të sigurojmë mesin e artë të renditjes", deklaroi me humor Takaj, ndërsa më tej, në lidhje me shortin për gjysmëfinalet, zgjodhi Kukësin.
"Unë nuk kisha ndonjë preferencë, por do të prisja me kënaqësi se cili ekip do të na binte përpara në këtë short, ndërsa tani që kam dëgjuar dëshirën e Gjicit, them që t'ia plotësoj. Meqenëse Gjici do të ndeshet me Skënderbeun në gjysmë- finale, atëherë dhe ne nuk po ia prishim.
Ndoshta Gjici është mësuar me pushimet në kampionat këtë vit dhe kërkon të bëjë pushim edhe në kupë", përfundoi presidenti, duke iu rikthyer ngacmimeve me Gjicin. Ndërkohë, duke qenë se takimi i së hënës është mjaft i rëndësishëm për bardhekuqtë në luftën për titullin kampion, Takaj, së bashku me zv.presidentin Arlind Boshku, nuk kanë lëvizur nga Korça. Drejtuesit kanë ndjekur seancat stërvitore, duke e mbështetur ekipin.