Takaj: Marrim titullin edhe nëse shkojmë baras në finale
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Humbja në Kukës për një moment rrezikoi që diferenca e Skënderbeut nga vendi i dytë të cungohej ndjeshëm, por barazimi i Partizanit duket se e mbajti Skënderbeun në një distancë komode nga vendi i dytë.
Megjithatë, humbja dhe ndoshta reduktimi i pikëve nuk shihej me sy të keq nga presidenti Ardjan Takaj, i cili, në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", ka theksuar se edhe sikur të ishin me pikë të barabarta, përsëri do fitohej kampionati nga Skënderbeu, pasi ndeshja direkte luhet brenda në Korçë. Këto dhe të tjera presidenti Takaj i ka bërë me dije gjatë prononcimit për gazetën.
President, humbja në Kukës sa ju ka mërzitur?
Normalisht që kur humbet, asnjëherë nuk ka se si të jesh i kënaqur me këtë rezultat. Por duhet të them që edhe shumë nuk jam mërzitur nga kjo humbje, pasi dihej që do të ishte një ndeshje delikate dhe në të tilla takime të tria rezultatet janë të pranueshme, pasi bëhet fjalë për një ndeshje të fortë kundër një ekipi të fortë sikundër është Kukësi.
Çfarë nuk ju ka pëlqyer nga ekipi në këtë takim?
Të them të drejtën, asgjë nuk më pëlqeu nga kjo ndeshje. Ne mbajtëm topin dhe u munduam ta qarkullonim atë, por rastet më të mira për shënim i kishte Kukësi. Kjo më bën të mendoj se ekipi nuk zhvilloi një ndeshje në lartësinë e duhur.
Nga se mund të ketë ardhur një gjë e tillë, sipas jush?
Mendoj që ndeshje të tilla ndodhin ndonjëherë. Por, nga sa pashë në Kukës, mendoj se ekipi ynë e kishte marrë shumë lehtë këtë duel. Nuk kishin motivimin e duhur për të përballuar këtë ndeshje. E morën me shumë lehtësi dhe ndoshta kjo solli që të ishim të mefshtë në sulmet tona. Nëse nuk sulmon, asnjëherë nuk mund të mjaftohesh vetëm me qarkullimin e topit.
Duket se pas mungesës së Salihit sulmi i Skënderbeut ishte inekzistent në fushë. Kaq i rëndësishëm është Salihi për ekipin?
Sigurisht që po. Salihi është një aset i Skënderbeut dhe i kampionatit. Një vlerë e shtuar e jona. Janë ekipe të mëdha europiane si Reali apo Barcelona dhe varen nga sulmuesi kryesor i ekipit. Edhe për ne Salihi është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm. Plus kësaj kemi edhe lojtarë të tjerë të dëmtuar që do të na shërbenin shumë për këtë takim.
Pas humbjes patët frikë se diferenca do të ngushtohej?
Shikoni, nuk kisha pse të isha i frikësuar nëse diferenca do të shkonte tri pikë nga Partizani. Kjo pasi kampionati është në dorën tonë. Të jeni të bindur se edhe nëse në ndeshjen direkte ne do të shkojmë me barazim pikësh nuk kemi për ta humbur kampionatin, pasi luajmë në fushën tonë dhe kjo është pa dyshim një pikë e fortë e jona.
Pra, po thoni se nuk ju tremb fakti që kjo diferencë mund të jetë më e vogël?
Jo, aspak. U tregova shumë i sinqertë në momentin e parë kur thashë se edhe nëse do të jemi në barazim pikësh nuk ka për të ndodhur që ne të humbim titullin. Megjithatë duhet të jemi të përqendruar dhe të mendojmë vetëm për ndeshjet tona që do të kemi përpara.
Si e keni pritur takimin mes Flamurtarit dhe Partizanit? E keni ndjekur?
Kemi qenë rrugës për në "Tropikal" kur kjo ndeshje po luhej. Por të mos tregohemi hipokritë. Normalisht që rezultati i këtij takimi na interesonte ta merrnim vesh dhe normalisht që e kemi ndjekur.
Ju ka qetësuar barazimi i kundërshtarëve?
Të gjitha ekipet luajnë futboll dhe ne e kemi provuar vetë një gjë të tillë. Prandaj, nuk kisha pse të surprizohesha nga ai barazim.Normalisht që ishte një rezultat i mirë për ne.
Diferenca tashmë ka shkuar në pesë pikë...
Po, është një diferencë komode. Diferencë që të bën të luash më i qetë dhe pa presionin e madh mbi supe në ndeshjet e radhës. Por kjo diferencë duhet të menaxhohet më së miri në mënyrë që të mos përballemi me situata të vështira më tej.
Përballja direkte është ende larg, por sipas jush si do të jetë diferenca në këtë ndeshje?
Unë jam i bindur se ne do ta thellojmë ndjeshëm diferencën derisa të arrijmë në përballjen direkte. Në atë takim do ta kemi mbyllur çështjen e titullit. Sigurisht që për ne është e rëndësishme ta mbyllim sa më shpejt të jetë e mundur kapitullin e kampionatit për të qenë të qetë. Por, të jeni të bindur që diferenca do të thellohet shumë shpejt.
Gjici para ndeshjes ka theksuar se Skënderbeu "ha dru" në Kukës dhe ju ka akuzuar se keni aleancë me Laçin...
Gjicin e kam mik të mirë dhe normalisht që nuk kishte si të mos e pyesja për një deklaratë të tillë. Sapo shkova në Kukës i thashë menjëherë: 'Ti the që do na prisje me dru, por po na pret me flije (specialitet i Kukësit), pse ky qëndrim i tillë...?!'. Por menjëherë më tha se nuk e kishte thënë këtë deklaratë. Megjithatë m'u bë qejfi që Gjici u gëzua për fitoren. Ne nuk jemi ankuar kurrë për humbjen, por gjithmonë i kemi dhënë dorën kundërshtarit si kur kemi fituar edhe kur kemi humbur, e rëndësishme është që humbja të jetë në fushë.
Përgatiti: LLAZI SARO