Dervishi: Nuk ka gjoba, Skënderbeu i thyeshëm
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani ka humbur një shans "të artë" për të ngushtuar distancën me Skënderbeun, në mënyrë që ëndrra titull të ishte më e prekshme.
Tri minuta nga mbyllja e transfertës së Vlorës, të kuqve u rreshket fitorja nga duart dhe mjaftohen thjesht me rikuperimin e një pike ndaj korçarëve, që kryesojnë me 66 pikë, pesë më shumë se kryeqytetasit. Barazimi, që erdhi nga ndëshkimi në fund të ndeshjes, situatë e cila ka ndodhur tri herë nën drejtimin e trajnerit Andrea Agostineli, ka lënë shije të hidhur te Partizani.
Gjithsesi, drejtori Dritan Dervishi në një prononcim për "Panorama Sport" nuk e bën aq dramë sa është përjetuar realisht nga tifozët. Për këtë barazim nuk pritet që të ketë gjoba për lojtarët dhe si zakonisht dje stafi teknik e drejtuesit kanë bërë analizën e ndeshjes, një ritual që praktikohet pas çdo takimi. Drejtori Dervishi, i pyetur për analizën dha disa detaje të diskutimit, por sipas tij nuk ka pasur asgjë të jashtëzakonshme.
"Analiza e djeshme është një ritual që ne si drejtues dhe staf i Partizanit e bëjmë pas çdo ndeshjeje. Sigurisht që nuk ndihemi të kënaqur, duke ditur përfundimin e ndeshjes, që thuajse ishte e fituar nga Partizani. Gjatë diskutimit tonë analizuam situatën që na çoi te barazimi, evidentuam gabimet, të cilat nuk duhet t'i përsërisim në 7 ndeshjet e mbetura. Në situata të tilla duhet të kesh edhe pak fat, pastaj edhe terreni ishte një faktor që ndikoi në mbarëvajtjen e ndeshjes", u shpreh fillimisht drejtori i të kuqve.
Masa ndëshkimore
Në dy ndeshjet e fundit skuadra ka marrë vetëm dy pikë, gjithsesi në kampin e kuq s'ka vend për masa ndëshkuese. Këtë gjë e bëri të ditur drejtori i të kuqve, i cili pohoi se penalitetet janë kompetencë e presidentit. "Në analizë u fol thjesht për aspektin tekniko-taktik dhe jo për masa ndëshkuese. Nuk pritet të ketë gjoba, pasi kjo është kompetencë e presidentit, kështu që pritet një reflektim nga të gjithë", vijoji Dervishi.
Skënderbeu
Në përfundim të javës së 29-të, "demat" kanë arritur të rikuperojnë një pikë me korçarët dhe, sipas drejtorit të kuq, çështja e titullit mbetet e hapur, madje ai pjesën e mbetur e shikon më të bukur, pasi edhe Skënderbeu është i thyeshëm. "Mund të merrnin më shumë nga java e shkuar, gjithsesi arritëm të rikuperojmë një pikë me Skënderbeun. Kemi edhe shtatë ndeshje të tjera për të luajtur dhe për mua kampionati është i hapur, madje do të jetë edhe më i bukur në vazhdim. Kjo javë tregoi se Skënderbeu është i thyeshëm, kështu që Partizani do të luftojë deri në fund për fitimin e titullit kampion. Asgjë nuk ka përfunduar", deklaroi drejtori i të kuqve.
Ndërrimet
Pas transfertës së Vlorës, tifozët kanë fajësuar trajnerin Agostineli për ndërrimet e bëra, kryesisht në rastin e zëvendësit të Torasës me mbrojtësin Kalari. "Nuk më takon mua të gjykoj vendimet e trajnerit. Gjithsesi, largimi i Torasës mund të ketë ardhur edhe për shkak të problemeve fizike që lojtari ka pasur para ndeshjes. Mbase duke u bazuar te terreni është menduar të luajë një lojtar më i freskët", përfundoi Dervishi.
Përgatiti: ILIR CARA