Synohen pikët në Laç, por edhe hakmarrje ndaj Nicës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bylisi është duke vijuar normalisht përgatitjet në kuadër të sfidës së nesërme ndaj Laçit, ku synojnë të mos dalin pa pikë.

Edhe pse kanë pesë vite që dalin vetëm me humbje nga transferta kurbinase, në Ballsh nuk u besojnë shumë statistikave, pasi çdo ndeshje është një histori më vete.
Duke qenë se mallkastriotët kanë pasur më shumë kohë sesa rivalët e tyre të Laçit për t'u përgatitur rreth kësaj sfide, besojnë se kësaj radhe ata do të dalin të fituar nga fusha. Në fakt, sfida e Kupës me Partizanin në mesjavë mendohet se i ka lodhur sadopak kurbinasit e Stavri Nicës dhe në Ballsh duan ta shfrytëzojnë në favorin e tyre këtë mundësi.
Përpos rivalitetit që kanë pasur skuadrat ndër vite, lojtarët do luajnë për "hakmarrje" edhe ndaj teknikut Nica. Durrsaku u afrua në pankinën mallakastriote, por nuk e drejtoi asnjë ndeshje, sepse në momentin e fundit zgjodhi pikërisht Laçin për të drejtuar.
Për sa u përket lojtarëve që do të ketë në dispozicion boshnjaku Zildzoviç, nuk pritet të ketë mungesa, ku në mëdyshje vijon të jetë vetëm kapiteni Ledion Muçaj, i cili ka probleme muskulore dhe për të do të vendoset vetëm ditën e sotme. Duke parë paraqitjet pozitive që kanë bërë futbollistët gjatë dy ndeshjeve të fundit, me Tërbunin dhe Tiranën, edhe pse me këtë të fundit u mundën, nuk priten shumë ndryshime në formacion edhe ndaj Laçit.