e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Flamurtari si Reali, gjobitet kush flet keq për klubin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Flamurtari si Reali, gjobitet kush flet keq për klubin

Reali i Madridit ka njoftuar dje se do të ndërmarrë hapa ligjorë kundrejt ish-trajnerit Rafa Benitez, pasi ky i fundit e ka kritikuar publikisht klubin spanjoll. Ai e ka pasur të përcaktuar në kontratë klauzolën "e heshtjes".

flamurtari stervitje Ndërkaq, pikërisht dje, klubi i Flamurtarit ka zbuluar klauzolën që kanë firmosur lojtarët së fundmi në kontratën me klubin.

Futbollistët që prishin imazhin e Flamurtarit do të penalizohen.

"Panorama Sport" zbardh klauzolat në kontratë për prishjen e imazhit të klubit. Marrë shkas nga rastet e mëparshme kur futbollistët, pasi janë larguar, kanë bërë deklarata kundër klubit, sidomos pas problemeve me pagesa, klubi ka përcaktuar klauzola për lojtarët që largohen për të mbrojtur imazhin.

Për të paktën një vit nga data kur lojtari ka përfunduar marrëdhënien me klubin, ai duhet të mos e cenojë emrin e tij. Në të kundërt, klubi ka të drejtën t'i drejtohet FSHF, por edhe gjykatës, nga të cilat do të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj lojtarit. Ky i fundit gjobitet me 20% të kontratës që ka firmosur me Flamurtarin.

"Lojtari do të mbrojë emrin e mirë të klubit për të paktën 1 vit nga data kur lojtari ka përfunduar marrëdhënien me të. Në rast se lojtari do të bëjë komente apo veprime që ofendojnë emrin e mirë të klubit, ky i fundit ka të drejtë t'i kërkojë federatës, por edhe gjykatës, dënimin e lojtarit me 20% të shumës që ai ka përfituar në kohën kur ka qenë në kontratë me Flamurtarin", thuhet në kontratë.

Grupi aktual

Por, penalizimeve për prishje të imazhit nuk i shpëtojnë as lojtarët aktualë. Këta të fundit do të gjobiten me 30% të vlerës së kontratës nëse nuk mbrojnë emrin e Flamurtarit. Futbollistët duhet që të ruajnë konfidencialitetin e klubit edhe me palët e treta sa i përket veprimtarisë së tij.

"Lojtari është i detyruar për të ruajtur emrin e mirë të klubit dhe të përmbahet nga çdo veprim që mund të paragjykojë atë, veçanërisht para dhe gjatë aktiviteteve në të cilat klubi merr pjesë. Të mos bëjë asnjë koment me palë të treta për çështjet që kanë të bëjnë me klubin. Futbollisti duhet që të ruajë konfidencialitetin e informacionit për veprimtarinë e klubit për të cilën është në dijeni. Në disa raste, futbollisti nuk mund të flasë në media pa pëlqimin e klubit. Nëse klubi gjen dhe verifikon shkeljet, lojtari do të gjobitet me 30% të pagës. Futbollisti duhet që të sillet në jetën publike dhe private, pa dëmtuar imazhin e klubit", theksohet në kontratë.

Heshtje shtypi

Para Vllaznisë ka heshtje shtypi. Dje drejtuesit e klubit kanë njoftuar lojtarët se nuk do të prononcohen për mediat. Ky vendim është mbështetur edhe nga trajneri Zekerija Ramadani, ndërsa nuk dihet se sa do të zgjasë heshtja e shtypit. Qëllimi duket se është mbajtja e ekipit larg euforisë dhe presionit. "Klubi është në heshtje shtypi. Futbollistëve nuk u lejohet të prononcohen për mediat. Madje, për këtë kemi firmosur", tha dje për gazetën kapiteni Bruno Telushi.

Përgatiti: ERMAL SIKA