e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shehri: Do të shtojmë sportelet, tifozët keqbërës skanë lidhje me Tiranën

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shehri: Do të shtojmë sportelet, tifozët keqbërës skanë lidhje me Tiranën

Stadiumet e boshatisura po kthehen në një problem për kampionatin tonë, fenomen që ka prekur edhe Tiranën.

shehri
Në javët e fundit është ndier një ulje e ndjeshme e numrit të të interesuarve dhe për klubin kryeqytetas kjo situatë tingëllon e çuditshme.

Edhe pse me një impiant tejet modern, si dhe uljen e ndjeshme të çmimeve të biletave, gjendja vazhdon të jetë problematike. Për këtë situatë flet vetë drejtori i Përgjithshëm i Tiranës, Saimir Shehri. Ai faturën e kalon edhe te vetë klubi, teksa shton se në vazhdim do të shtojnë edhe numrin e sporteleve.

Shefi i administratës komenton edhe ngjarjet që ndodhën në finalen e 19- vjeçarëve për Kupën e Shqipërisë mes Tiranës dhe Partizanit. Madje, e thotë hapur se ata keqbërës nuk kanë lidhje me tifozët bardheblu dhe për këtë duhet që të marrë masa vetë shteti.

"Është një situatë e sikletshme për ne dhe e papritur. Por ndodh një fenomen realisht i habitshëm. Në vetvete ne si klub kemi bërë një lloj analize. Parashikonim që me hapjen e shtëpisë së re të Tiranës të kishim një stadium të mbushur, por nuk ka ndodhur.

Për momentin ia kemi lënë fajin orarit të drekës që njerëzit janë në punë, por mungesa e tifozëve në stadium mbetet e pajustifikueshme. Ne kemi qenë në pozita më të vështira para dy vitesh, edhe në të njëjtin orar stadiumin e kemi pasur të mbushur, madje ka pasur interes dhe shumë entuziazëm. Ndaj nuk e di përse po ndodh kjo gjë", tha fillimisht ai gjatë deklaratës së dhënë për "Super Sport".

Incidentet

Sherri i ndodhur mes tifozëve në derbin e 19-vjeçarëve u përsërit me një tjetër konfrontim në rrugët e kryeqytetit, ku pati edhe të shoqëruar në polici. Shehri i kërkon shtetit që të marrë masa për këtë situatë, pasi nuk mund të dënohet klubi nga keqbërësit, si i cilëson ai. "Ngjarjet që ndodhën në finalen e të rinjve, janë episode të shkëputura që nuk kanë lidhje me tifozërinë e organizuar të Tiranës. Ata janë individë të veçantë dhe i mbetet shtetit që t'i ndalojë që të krijojnë probleme të tilla në stadiume. Rregullorja thotë që i takon klubit që të përgjigjet për sjelljen e tifozëve, por na ka përse të përlyhet klubi për disa njerëz. Ndaj detyra i mbetet policisë që t'i evidentojë këta keqbërës, ose njerëz që krijojnë rrëmuja në stadiume. Duhet që të marrin masa, si në çdo fushë tjetër", shtoi Shehri.

Sportelet - Në ndeshjen e fundit me Flamurtarin, Tirana dështoi në organizim. Qindra tifozëve mbetën në radhë për të siguruar një biletë dhe kjo prej mungesës së sporteleve. Nisur nga kjo, drejtori i përgjithshëm bën autokratikë, madje garanton se në vazhdim do të shtohen pikat e biletarive.

"Nuk jemi në perfeksion, madje po mendojmë për politika të ndryshme që të joshim tifozë. Po investojmë në dy bare që të jenë aktivë gjatë ndeshjes, që njerëzit ashtu si në të gjithë botën, të marrin ushqim apo pije.

Megjithatë, ka probleme me mentalitetin e tifozëve të Tiranës, por edhe tifozëve në përgjithësi, të cilët e presin biletën vetëm 5 minuta përpara ndeshjes. Ka dhe një të metë nga ana jonë që po e riparojmë, pasi një pikë shitjeje në stadium është e pamjaftueshme dhe do ta ndreqim duke filluar nga ndeshja me Teutën. Do të hapim edhe 2 apo 3 pika të tjera të lehtësojmë gjithçka".