e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Malota: Partizani nuk na tremb

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Malota: Partizani nuk na tremb

Kapiteni i Kukësit Renato Malota, në një prononcim për "Panorama Sport", pohoi se ndaj Teutës ekipi bëri vetëm detyrën. Sa i përket sfidës me Partizanin, qendërmbrojtësi tha se Kukësi nuk u druhet aspak të kuqve dhe në Tiranë do të kërkojnë fitoren.

malota
Malota është i bindur se ky është viti i kuksianëve për të fituar Kupën e Shqipërisë, por Europën e shikojnë të arritshme edhe nga Kampionati.

Kualifikimi dhe objektivi

"E prisnim kualifikimin në Kupë, sepse kemi ekip më të mirë se Teuta, ndaj besuam deri në fund dhe e kaluam me sukses. Tashmë dihen objektivat e Kukësit, fundja bëmë detyrën. Kemi 4 vjet që dalim në gjysmëfinale pa harruar dhe dy herë në finale. Objektivat këtë vit janë pjesëmarrja në Europë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë. Objektivi im është që të ngre Kupën këtë sezon dhe vitin tjetër të fitoj titullin, po me Kukësin", tha fillimisht Malota.

Goli dhe shiriti

Kualifikimi i Kukësit ndaj Teutës u arrit nga këmbët e dy mbrojtësve. Malota ka folur edhe për golat ndaj durrsakëve dhe përgjegjësinë që të jep shiriti i kapitenit. "Jam shumë i kënaqur që suksesi në Kupë erdhi nga mbrojtja, pasi po kritikoheshim si repart. Por në sfidën e fundit jo vetëm që bëmë detyrën më së miri, por arritëm dhe të ndihmonim ekipin që të kualifikohet për në turin tjetër. Përgjegjësitë si kapiten janë të mëdha, as që diskutohet. Kur ka probleme, mungesë rezultatesh apo diçka që nuk shkon, përgjegjësinë kryesore te lojtarët e ka kapiteni, ashtu si dhe meritat kur ekipi ecën mirë. Shiriti është përgjegjësi në të mirë dhe në të keq, por mundohem të jap më të mirën për klubin", vijoi kapiteni i Kukësit.

Ndeshja me Partizanin

Ndërsa për transfertën e së hënës, ish-mbrojtësi i Partizanit, tani kapiten i Kukësit, Malota, u shpreh: "Ndaj Partizanit do të pretendojmë maksimumin e pikëve, si në çdo ndeshje, sepse kemi një ekip mjaft të mirë dhe me kualitete. Vijmë mbas një rezultati pozitiv, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi për Kukësin tani ka filluar lufta e fortë. Nuk i druhemi aspak Partizanit. I respektojmë, por nuk i kemi frikë.

Madje, me rendimentin që ka treguar Kukësi në Superiore, mund të themi se i kemi rivalizuar dhe kemi treguar se nuk i druhemi asnjë kundërshtari. Mos harroni, jemi ekipi nënkampion. Ndaj të kuqve na mungon Flores, një lojtar me kualitet të lartë, por them se nuk na penalizon, sepse forca e ekipit është grupi. Në merkato kemi gjetur lojtarët që na duheshin dhe është herët për të folur për renditjen aktuale, pasi me 15 ndeshje gjithçka mund të ndodhë. Pozicionimin e Kukësit shikojeni në fund, jo tani".

Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI