Kryeqyteti përzë Dinamon, Saliaj: Turp!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dinamo do të luajë ndeshjen e radhës në kampionat. Por, sfidën e parashikuar si pritëse ndaj Elbasanit, blutë do të duhet ta luajnë në fushën asnjanëse të Kavajës.

Drejtuesit e skuadrës kryeqytetase nuk kanë arritur dot akord me asnjë prej stadiumeve të Tiranës, "Qemal Stafa"-n dhe "Selman Stërmasi"-n.
Drejtuesit e të dy impianteve të kryeqytetit nuk e kanë lejuar Dinamon që të luante sfidën ndaj Elbasanit dhe në këtë mënyrë është zgjedhur stadiumi i Kavajës.
Saliaj
Në një prononcim për gazetën, administratori i skuadrës, Ismet Saliaj, e konsideron të turpshëm faktin që Dinamo detyrohet të degdiset jashtë Tiranës.
"Ndeshjen e radhës me Elbasanin do ta luajmë në Kavajë, për shkak se nuk gjetëm mirëkuptimin për ta zhvilluar në Tiranë. Në stadiumin 'Qemal Stafa' do të luajë të hënën Partizani dhe duhej të mos dëmtohej fusha. Edhe te stadiumi 'Selman Stërmasi' e njëjta gjë, nuk mund të luanim, pasi dëmtohej fusha.
Është e padrejtë që Dinamos t'i bëhet kjo degdisje nga ana e institucioneve, pasi ne jemi klub me 35 trofe në Shqipëri dhe jemi vlerë e futbollit shqiptar. Gjithsesi, ne zgjodhëm Kavajën, pasi fusha përmbush disi kërkesat tona si një ambient me bar, për t'u bërë një ndeshje futbolli e bukur e me kualitet", shprehet Saliaj. Administratori i bluve vazhdon më tej duke bërë një premtim të rëndësishëm.
"Sezoni i ardhshëm do të jetë i fundit që Dinamo do militojë në Kategorinë e Parë, pasi do investohet më shumë dhe na është premtuar që do na jepen fushat stërvitore, të cilat i takojnë klubit të Dinamos, që i janë hequr padrejtësisht. Do ta rikthejmë në elitë këtë skuadër të madhe dhe me vlera të Shqipërisë. Megjithatë, fillimisht duhet që të mos e diskutojmë mesin e tabelës në këtë kampionat që po luhet", përfundon Saliaj