e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Rragami: Vllaznia nuk rrezikon, marrin pikë në Vlorë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rragami: Vllaznia nuk rrezikon, marrin pikë në Vlorë

Ramazan Rragami beson se Vllaznia mund t'i marrë pikë Flamurtarit.

vllaznia 2016Dueli i mbijetesës, sipas mjeshtrit të merituar të Sportit në Shkodër, në një prononcim për "Panorama Sport", është përcaktues për të ardhmen e kuqebluve. Sipas tij, nëse ekipi i drejtuar nga Cungu do të marrë qoftë edhe një barazim, do të përmirësojë ndjeshëm pozitat në renditje.

"Vllaznia dhe Flamurtari kanë prodhuar gjithnjë futboll të bukur. Ndaj, shpresoj që edhe këtë javë të shikojmë të njëjtën gjë. Edhe pse të dyja klubet janë larg shkëlqimit të dikurshëm, gjë që kuptohet qartazi duke parë pozitat që kanë në renditje, parashikoj një duel të barabartë. Duke parë skuadrat, nuk shoh ndonjë diferencë mes tyre, janë në një nivel. Si vlonjatëve, ashtu edhe shkodranëve u duhen pikët, ndaj kam përshtypjen se në fushë do të ketë një përballje të luftuar, pasi pikët janë jetike për vazhdimësinë", tha fillimisht ish-trajneri.

Morali

Barazimi me Partizanin duket se i ka rritur moralin kuqebluve, përtej eliminimit nga Kupa. Të paktën kjo është përshtypja e Llagamit, i cili sheh vetëm rritje te Vllaznia.

"Ne kemi mundësi për të marrë një rezultat pozitiv në Vlorë. Morali nuk na mungon, madje pas barazimit me Partizanin mendoj se është në nivele të larta. Skuadra po rritet dita-ditës dhe të shton optimizmin se mund të përballoj çdo rival. Pastaj një tjetër element që duhet përdorur në favorin tonë lidhet me ecurinë e kundërshtarit në shtëpi. Flamurtari ka pasur shumë luhatje në fushën e vet dhe këtë Vllaznia duhet ta shfrytëzojë. Që nuk do të jetë e lehtë për të marrë një rezultat pozitiv, dhe këtu përfshi edhe barazimin, kjo dihet. Por duke parë punën që është bërë dhe po bëhet, nuk përjashtohet mundësia që Vllaznia të mos kthehet pa pikë nga kjo transfertë. Nëse do të arrihej një gjë e tillë, ky do të ishte një sukses për këtë skuadër, pasi kalojnë një kundërshtar direkt në luftën për mbijetesë", ka shtuar Rragami.

Afrimet

Emblema e futbollit shkodran ka folur edhe për afrimet që klubi ka bërë në këtë merkato të dimrit. Por, përtej pasurimit të kontingjentit, blerje më të madhe cilëson atë që është bërë në stol.

"Mund të them se afrimi i djemve të trajningut shkodran, me në krye Cungun, ka qenë lëvizja e duhur që ka ndryshuar situatën në ekip. Njihen vlerat e këtij trajneri, pasi ka lënë shenjë edhe në ekipe të tjera në Superiore, ndaj e cilësoj si një afrim të madh. Por, tashmë uroj që të bëjë historinë edhe me Vllazninë. Strategjia e klubit është ajo që më pëlqen më shumë. Mbështetja te shkodranët dhe kthimi i djemve shkodranë do të sjellë shumë shpejt benefite. Prurjet në këtë merkato kanë qenë më të mirat e mundshme. U afruan pak e saktë. Mendoj se kjo ishte gjëja e duhur. Këto ndryshime dhe motivimi që Cungu po injekton në grup të shtojnë shpresat për ringritjen e kësaj Vllaznie. Asnjëherë s'e kam menduar dhe s'e mendoj se ky ekip mund të rrezikojë rënie nga kategoria", ka përfunduar Ramazan Rragami.

Përgatiti: ADMIR URUÇI