Superiorja në krizë goli, tre takime 0-0
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tri nga katër ndeshjet javës së 23-të të Kategorisë Superiore që u zhvilluan dje kanë përfunduar në barazim 0-0, ndërsa Kukësi fitoi 4-0 ndaj Flamurtarit. Kjo javë mbyllet sot me takimin Bylis-Skënderbeu, por sfidat e djeshme treguan se Superiorja ndodhet në krizë goli.
Mungesa e golit rëndon kryesisht te skuadrat që kanë pretendime, të cilat në 90-minutëshin e djeshëm nuk arritën të bënin diferencën. Skënderbeu është i pari për faktin se ka sulmin më të mirë të kampionatit, ndërsa Partizani që aspiron ta rrë- zojë nga froni po ngatërrohet shpesh me këmbët e tij.
Tirana dhe Teuta nuk ditën të përfitonin nga përballja direkte, kjo edhe për mosfunksionim të forcave sulmuese. Vllaznia e kërkonte me ngulm fitoren ndaj Laçit, por trepikëshi nuk mund të vijë pa gjetur rrugën e rrjetës, ndonëse ka një moment të dyshimtë në këtë takim, për një gol të padhënë për shkodranët.
Flamurtari vijon të mbetet skuadër me oscilacione dhe nëse sulmuesi brazilian do të kishte shfrytëzuar rastin që iu dha pas disavantazhit 1-0, mund të flitej për një rezultat tjetër final në Kukës.
Superiorja këtë fundjavë pati mungesë rrjetash të tundura, por edhe zbrazëti në shkallët e stadiumeve. Nga kjo krizë sulmi më i humbur po del Partizani, i cili, ndonëse ka dëshirë, nuk ka mundësi dhe vullnet të ndjekë hapin e Skënderbeut, që duket se edhe këtë vit i ka vetë në dorë fatet e triumfit.