Super Muller, turperohet Ronaldo, cmendet Pepe
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një super Gjermani dhe një super Muller kanë thërrmuar Portugalinë e Kristiano Ronaldos, duke i shënuar 4 gola dhe duke mos pësuar asnjë të tillë. Ndeshja e vlefshme për turin e parë të grupit “G”, e zhvilluar në stadiumin “Arena Fonte Nova” të Salvadorit është kthyer në një makth për fituesin e “Topit të artë”, ndërsa ka qenë një mbrëmje magjike për Mullerin që shënoi një tre-golësh, e para në këtë Botëror.
Skuadra e Joachim Loew tronditi Portugalinë që në minutat e para të lojës. Goli i parë mbërriti në minutën e 12-të. Mario Gotze ndalet nga mbrojtësit portugezë dhe gjyqtari i takimit jep një 11-metërsh. Muller merr përsipër goditjen nga pika e bardhë dhe nuk gabon. Loja vijon e shpejtë dhe me raste nga të dyja anët, por do të jenë sërish gjermanët, që pas një goditjeje këndi në minutën e 32 do të gjenin sërish rrugën e rrjetës nëpërmjet mbrojtësit Hummles, i cili fiton një duel në ajër me Pepen. Pas këtij goli në fushë do të ishin vetëm “panzerat”, pasi “luzitanët” do të veniteshin nën shkëlqimin gjerman. I vetmi që do të mbante të lartë moralin e portugezëve do të ishte Kristiano Ronaldo, i cili me aftësitë e tij të magjishme do tentonte të vinte në vështirësi mbrojtjen gjermane, por pa sukses.
3 herë kampionëve të botës do t’i vinte në ndihmë edhe Pepe, i cili në minutën e 37 do të “fitonte” një karton të kuq, duke i lënë të tijtë me dhjetë lojtarë. Portugezi i Real Madridit gjatë një dyluftimi në ajër do të godiste me bërryl Mullerin, si dhe do ta shtynte me kokë atë teksa ky i fundit ishte i shtrirë përdhe. Në minutën e 46 do të shënohej edhe goli i tretë i takimit. Kroos kroson në zonë, topi devijohet nga Bruno Alves dhe përfundon në këmbët e Mullerit, që gjunjëzon sërish gardianin e portugezëve Rui Patricion. Pjesa e dytë ishte pasqyrim i së parës. Gjermania kontrollonte lojën, ndërsa portugezët i “gëzoheshin” ndonjë topi të humbur nga “panzerat” dhe shëtisnin fanellën nëpër fushë për të krijuar ndonjë sulm. Gjatë pjesës së dytë debutonte edhe shqiptari, Shkodran Mustafi, i cili luan për Sampdorian në Itali. I riu do të zëvendësonte të dëmtuarin Mario Hummles. Në minutën e 78’ do të vinte edhe goli i katërt i takimit dhe i treti personal për Mullerin në këtë botëror.
Schurrle do të pasonte topin në mesin e zonës Portugeze, ku portieri Rui Patricio do të përpiqej të kapte topin, por pa sukses, pasi Muller i cili ndodhet aty pranë do përfiton dhe realizon lehtësisht tripletën e tij personale dhe golin e katërt të takimit, duke e mbyllur përfundimisht takimin me rezultatin 4-0, duke mbushur me krenari dhe Kancelaren Angela Merkel, e cila ishte e pranishme në stadium. Thomas Muller, lojtari i Bayern Munich ka shënuar 20 gola me gjermanin dhe me këtë tregolësh, riktheu kujtimet e një tjetër Mulleri goleador, atij të quajtur Gerd. Sa i takon Portugalisë, luzitanët mbrëmjen e djeshme përjetuan një nga ditët më të errëta të historisë së tyre. Veç humbjes, tekniku Paulo Bento duhet të bëjë edhe llogarit me dy dëmtime, Hugo Almeida dhe Fabio Coentraos. Pra Portugalia në ndeshjen e dytë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të luajnë pa dy mbrojtësit kryesorë, si dhe sulmuesin Hugo Almeida.