Mosha perfekte per te fituar Kupen e Botes?
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Çfarë kishin të përbashkët legjendat e Kupës së Botës, Paolo Rossi, Diego Maradona, Zinedine Zidane dhe Ronaldo? Ata ishin të gjithë 25 vjeç kur kanë luajtur në kompeticionin që i ka bërë më të mirët e të gjitha kohërave. Duke u bazuar tek historia, mosha 25-vjeçare është perfekte për të hyrë në Kupën e Botës nëse dëshiron të bëhesh superstar.
Mesut Ozil, Diego Costa dhe Alexis Sanchez janë lojtarë me profil të lartë, të cilët shpresojnë që tradita të vazhdojë në Brazil 2014.
Në moshën 25-vjeçare je në kulmin e fuqive të tua dhe gjithashtu ke eksperiencë dhe di si të veprosh në situata të vështira. Por më e rëndësishmja është se ju duhet të jeni në gjendje të përballoni presionin dhe të reagoni me shpejtësi kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç ishin parashikuar.
Rossi fitoi Kupën e Botës së vitit 1982 me Italinë pas mungesës dyvjeçare, për shkak të pjesëmarrjes në skandalin e ndeshjeve të fiksuara. Ai nuk shënoi në katër ndeshjet e para në kompeticion, por më pas lojtari hapi thesin duke shënuar gjashtë gola në tri ndeshje, përfshirë “hat-trick” e famshëm ndaj Brazilit.
Maradona nuk mund të realizonte pritshmëritë në moshën 21-vjeçare në Botërorin e 1982. Katër vjet më vonë ai ishte kapiteni i Argjentinës dhe njeriu kryesor në ngritjen e trofeut, duke shënuar 5 gola përgjatë kompeticionit.
Zidane festoi ditëlindjen e tij të 26-të në mes të kompeticionit më 23 qershor të vitit 1998, gjatë kohës që ai dhe skuadra e tij po luanin në Kupën e Botës. Paraqitja e Zidane frymëzoi Francën të fitojë Kupën e Botës në shtëpinë e saj dhe ai të hynte përfundimisht në historinë e futbollit.
Katër vjet më vonë, Ronaldo (Il Fenomeno), i cili kishte vuajtur nga një dëmtim i rëndë në gju përpara finales së Botërorit 1998, u rikthye më i fortë dhe më i zgjuar në moshën 25-vjeçare duke fituar “Këpucën e Artë” me 8 golat e shënuar prej tij dhe Brazili u shpall për herë të pestë Kampion i Botës. Sot, në 2014, një brez i ri 25-vjeçarësh janë gati për të fituar Kupën e Botës me talentin dhe zgjuarsinë e tyre.
Mesut Ozil, Gjermani
Lojtari me origjinë turke i Gjermanisë, Mesut Ozil, shpreson se Gjermania do të fitojë Kupën e Botës këtë edicion. Ai pati një sezon të vështirë me skuadrën e Prermier League, Arsenal, duke humbur një penallti të rëndësishme kundër Bayern Munich në Champions League, por ai është i lumtur me rolin e numrit 10 të dhënë nga tranjeri gjerman Joachim Loë.
“Jemi duke udhëtuar drejt Brazili për të fituar Kupën e Botës dhe të shprehim falenderimet tona për tifozët e shumtë në Gjermani dhe në të gjithë botën. Gjëja më e rëndësishme për mua është se jam i lirë të lëviz në të majtë ose të djathtë, madje edhe të futem thellë në zonë për të kapur topin. Kjo lojë më përshtatet shumë mirë”, ka thënë Ozil.
Alexis Sanchez, Kili
Sulmuesi i talentuar i Barcelonës e ka nisur Kupën e Botës me një gol dhe një asist në fitoren e Kilit 3-1 ndaj Australisë të premten. Duke shënuar 19 gola në La Liga sezonin e fundit, Sanchez është duke arritur kulmin e karrierës së tij dhe Manchester United, Juventus dhe Liverpool janë disa prej klubeve që po monitorojnë situatën e tij në Camp Nou, në rast se trajneri Lusi Enrique kërkon të bëjë ndryshime. “Nëse unë nuk do të besoja se Kili mund të shpallet kampion bote, atëherë do të qëndroja në shtëpi dhe t’i shikoja ndeshjet nga televizori”, ka thënë Sanchez.
Diego Costa, Spanjë
Çuditërisht zgjodhi të luajë për Spanjën në vend të Brazilit dhe është çelësi i tyre i shpresës për të mbajtur Kupën e Botës pavarësisht se u turpëruan rëndë në humbjen 5-1 kundër Holandës në ndeshjen e tyre hapëse të premten. Jose Mourinho është afër nënshkrimit të marrëveshjes me qendërsulmuesin e Atletiko Madridit, i cili shihet si një pasardhës i Dieder Drogba. Costa ka vuajtur nga disa dëmtime përgjatë përgatitjeve për Kupën e Botës dhe prezenca e tij fizike i jep Spanjës një opsion ndryshe. Ndoshta nuk ka qenë i pranishëm gjatë rrugëtimit për Brazil 2014, por Rossi dhe të tjerë na kanë treguar se është më e rëndësishme sesi e përfundon garën dhe jo si e fillon.
Willian, Brazil
Një nga katër lojtarët e Chelsea të thërritur në skuadrën e Brazilit nga Felipe Scolari nuk u aktivizua në ndeshjen hapëse kundër Kroacisë, por atletizmi dhe fuqia e tij do të jenë të nevojshme në progresin përgjatë kompeticionit. Scolari është një fans i madh i Willian dhe ai e ka vendosur emrin e tij në 8 lojtarët e sigurtë që do të luanin në Kupën e Botës, dy muaj përpara se të publikonte listën finale.
Paulinho, Brazil
Nuk ka asnjë lojtar të vetëm të Tottenham në skuadrën e Anglisë për Kupën e Botës, por Paulinho jo vetëm që arriti të jetë në listën e 23 lojtarëve të skuadrës braziliane, por ai ishte edhe pjesëmarrës në ndeshjen hapëse kundër Kroacisë. Paulinho ka shënuar 9 gola për Tottenham në sezonin debutes në Angli dhe 25-vjeçari konsiderohet një komponent i rëndësishëm për skuadrën e Scolarit.
Giovani dos Santos, Meksika
Ishte shume e lehtë për 25-vjeçarin të dallohej në Premier League me Tottenham, por aftësitë e tij janë të krijuara për Kupën e Botës. Me një paraqitje sensacionale në fitoren e Meksikës ndaj Kamerunit të premten, atij iu mohuan dy gola, të cilët gabimisht u konsideruan si pozicion jashtë loje.
Axel Witsel, Belgjika
Ndërsa tifozët në të gjithë botën konsiderojnë Eden Hazard dhe Vicent Kompany si dy lojtarët më të mirë të Belgjikës, janë vetë belgët ata që konsiderojnë Witsel, i cili luan me klubin rus të Zenitit, si lojtarin më të rëndësishëm të skuadrës së tyre. Belgët janë ‘kuajt e zinj’ të Kupës së Botës dhe Witsel mund të bëhet ‘kali i zi’ udhëheqës i skuadrës në këtë kompeticion. Ai është pikërisht në moshën e duhur. Përgatiti Kevin Sinani