Sukaj: E disata herë që po dalim huq, tërheqja nuk ishte rezultative
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhevahir Sukaj mendon se Partizani duhet të fitonte në Vlorë. Sulmuesi i Partizanit ka realizuar dje golin e 13-të për të kuqtë, por tri minuta nga fundi braziliani i hoqi vlerën e trepikëshit.
Goli i Sukajt ndaj Flamurtarit për pak mund të merrte aromën e titullit për demat, por sipas shkodranit kthimi prapa nuk dha rezultat. Gjatë një prononcimi për mediat, Sukaj tha se ekipi i tij mund të kishte fituar edhe 2-0, por ndikoi edhe terreni i vështirësuar nga reshjet. Shkodrani pohoi se kishte dëshirë që fitoren t'ia dedikonte tifozit vlonjat që u nda nga jeta.
"Në këtë ndeshje neve na duhej vetëm fitorja dhe barazimin nuk e parashikonim. Sot (dje) për mendimin tim ishte ndeshja më e vështirë e vitit për Partizanin. Na shkoi huq dhe po bëhet e disata herë që ne pësojmë gol në fund. Sinqerisht më vjen keq, pasi kishim mundësi për ta çuar edhe 2-0 ndeshjen, por është edhe fati ndonjëherë. Rezultatin e di Zoti dhe mbase barazimi ishte edhe i drejtë. Nuk është se nuk shkoi keq ndonjë gjë e veçantë, por terreni ishte shumë i vështirë. Tërheqja pas nuk ishte rezultative për ekipin.
Nëse sot (dje) ne do të fitonim, do t'ia dedikoja golin dhe fitoren tifozit vlonjat që vdiq. Na erdhi shume keq dhe u prekëm shumë edhe ne lojtarët e Partizanit. U preftë në paqe!", shprehet Sukaj. Sulmuesi i Partizanit mendon se asgjë nuk është mbyllur për titullin. "Nuk është mbyllur asgjë. Skënderbeu ka ndeshje të vështirë, ashtu si dhe ne, por ne do të japim maksimumin. Kemi mundësi për më tepër. Shpresoj që në ndeshjet e tjera të jemi më afër titullit", përfundon Sukaj.