Studenti dhe Teuta, në finalen e Kupës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Teuta-Studenti do të jetë ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Surpriza e këtyre gjysmëfinaleve është Teuta.
Skuadra durrsake ka arritur që të eliminojë Vllazninë në takimin gjysmëfinal.
Në setin e parë duket se Vllaznia do të shkojë e sigurt drejt fitores, por kur duhej pika e fundit për të fituar teksa rezultati ishte 24-21, miqtë barazojnë në 24-24 dhe në shtesë përmbysin duke fituar 26-24 dhe marrë epërsinë në lojë. Shkodranët bëjnë shpejt "autokritikë" dhe në setin e dytë fitojnë pa problem 25-13.
Në setin e tretë, Teuta duket sikur do të fitojë dhe është në avantazh në pjesën më të madhe. Kur rezultati ishte 14-19 për Teutën, Vllaznia zgjohet dhe rikthehet në lojë duke barazuar në 20-20. Kaq mjafton që Vllaznia të fitojë setin e tretë këtë herë 25-22 duke kaluar për herë të parë në epërsi 2-1.
Shkodranëve u duhet veç një set për të arritur fitoren që do ta çonte në finale, por durrsakët nuk dorëzohen lehtë. Përsëritet e njëjta histori si në setin e tretë, teksa rezultati është 19- 14 për Teutën. Vllaznia barazon sërish 20-20, por këtë herë me një fund ndryshe. Teuta arrin të fitojë 23-25 duke e barazuar në 2-2 lojën. Në setin e fundit shkodranët asnjëherë nuk arrijnë të dalin në lojën e tyre.
Kur rezultati shënon 14- 14, trajneri i Vllaznisë, Artan Kalaja, futet në fushë duke protestuar dhe merr karton të kuq dhe u dha një pikë kundërshtarëve. Seti shtohet deri në 19 pikë dhe Teuta fiton 3-2 duke kaluar në finale. Në ndeshjen tjetër, Studenti nuk e ka pasur shumë të vështirë ndaj Tiranës duke u kualifikuar në finale, ku do të përballet me durrsakët.
Edhe pse Tirana arriti që të fitonte setin e parë 25-19, Studenti kthehet shumë shpejt dhe fiton tre sete të treta radhazi duke fituar krejt takimin në shifrat 3-1 dhe u kualifikuar kështu në finale. Studenti edhe në takimin final është pretendente për të fituar Kupën. Edhe ndeshja finale do të luhet në Shkodër, në pallatin e sportit "Qazim Dervishi", ashtu si takimet gjysmëfinale.
Përgatiti: SENAD NIKSHIQI