Spiro Koleka: Ja projektet e klubit të Tiranës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Si klubi më i madh në vend, edhe vëmend ja është e tillë për shumësportëshin e Tiranës. Në buxhetin e 2016-s Bashkia ka akorduar plot 500 milionë lekë.
Në një intervistë për "Panorama Sport", titullari i këtij institucioni, Spiro Koleka, sqaron se veç këtij granti, Bashkia i ka krijuar mundësinë e mbështetjes edhe në përmirësimin e infrastrukturës.
Cila është situata aktuale në klubin shumësportësh "Tirana"?
Situata në këto momente është mjaft e vështirë. Bashkia e Tiranës është sponsori i vetëm i yni dhe nuk e ka të lehtë të na mbajë me të ardhurat për të garantuar të paktën atë që është detyrimi i parë, trajtimet ushqimore për lojtarët dhe pjesa tjetër e grupit të punësuar në klubin sportiv "Tirana". E kemi mjaft të vështirë, sepse sportistët tanë janë të detyruar të punojnë pasi nuk del trajtimi ushqimor që është një shifër mjaft e ulët. Plus kësaj edhe oraret që kemi në sallën tonë, është tepër e ngarkuar. Pra, nuk na lejon të bëjmë punën edhe me grupet e të rinjve, me moshat e ndryshme. Po tentojmë të shfrytëzojmë palestrat e shkollave. Kemi bërë disa projekte në bashkëpunim me Bashkinë dhe në drejtorinë e sportit pranë këtij institucioni me qëllim që të lirojmë të paktën sallën tonë.
Sa është fondi grant që përfiton klubi nga Bashkia?
Aktualisht fondi grant që ne përfitojmë për vitin 2016 është 50 milionë lekë të reja ku përfshihen të gjitha këto zëra që përmenda. Dhe përherë të parë pas disa viteve, Bashkia na ka dhënë mundësinë e investimeve të ndryshme. Por në momentet që do të lëvrohen lekët, të meremetojmë paksa sallën, dhomat e zhveshjeve, të bëjmë investime në disa nga asetet e klubit sportiv "Tirana". Këto zëra janë jashtë fondit grant.
Së fundmi është bërë publik edhe një vendim i Këshillit të Ministrave për transferimin e pallatit të sportit "Asllan Rusi" nën administrimin e Bashkisë...
Deri më sot pallati i sportit është marrë nga Bashkia, por akoma nuk është ecur përpara në drejtim të menaxhimit direkt të këtij pallati. Do të bëhet nëpërmjet nesh apo nëpërmjet Bashkisë. Ky do të ishte një avantazh i madh për klubin tonë dhe për të gjithë sportin në përgjithësi, në masivizimin e sportit dhe për lojërat me dorë në veçanti.
Si është përfaqësimi i Tiranës këtë edicion sportiv në garat kombëtare?
Trendi është në rritje, por kemi vështirësi të mëdha në drejtim të orareve dhe ambienteve për të zhvilluar stërvitjet. Kemi një lëvizje mjaft të mirë dhe projekt të përcaktuar me një afat 2-3- vjeçar me volejbollin të rinj, të reja, të rritur, të rritura. Njëherësh edhe për të gjitha moshat.
Fondi që dispononi është i mjaftueshëm për këtë klub?
Mendoj që ky fond nuk është i mjaftueshëm, sepse sot ne kemi vetëm tetë sporte, të cilat mund t'i përballojmë me këtë fond. Por kërkesat janë që Tirana të ketë shumë më tepër sporte.
Cili është kontributi juaj te Farka Volej, si pjesë e Bashkisë së fundmi?
Po, është pjesë e Bashkisë dhe ne jemi munduar ta ndihmojmë këtë skuadër, pasi e konsiderojmë si pjesën tonë.
Krahasuar me një vit më parë, si është granti që keni marrë këtë edicion?
Në dijeninë time fondi është në një nivel pak më të lartë. Por janë më të larta ato jashtë grantit, si në rastin e investimeve që mund të bëhen. Këtu duke përfshirë edhe një mjet që është i domosdoshëm për lëvizjet e skuadrave. Por jemi në pritje të lëvrimit të këtij fondi të posaçëm.
Përpara marrjes së detyrës suaj është bërë ndonjë audit pranë këtij institucioni?
Auditi nuk është bërë. Që ditën e parë që unë jam ulur në këtë karrige kam kërkuar nga Bashkia me letër zyrtare që të bëhet një audit për veprimtarinë e viteve të mëparshme. Mund t'ju bëj me dije se kemi një audit të kaluar që na ka bllokuar të gjithë veprimtarinë. Mendoj se mund të jemi e vetmja ndërmarrje, e cila nuk ka një arkë operative për shpenzimet e përditshme.
Përgatiti: OLGERT SERANI