e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Spanja ‘pushton’ Parisin, Anglia ndalet me barazim ne Podgorice

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Spanja ‘pushton’ Parisin, Anglia ndalet me barazim ne Podgorice
Spanja shënoi një fitore të rëndësishme ndaj Francës në Paris, me rezultatin minimal 1-0, duke marrë në këtë mënyrë edhe kreun e renditjes në Grupin I.  Një gol i sulmuesit të Barcelonës, Pedro Rodriguez, në minutën e 58-të, i mjaftoi kampionëve të Botës që të mposhtnin Francën e Didier Deschamps, e cila u duk tepër konfuze në lojën e saj.

Tashmë spanjollët gjenden në vendin e parë me 11 pikë, 1 më shumë se Franca e vendit të dytë. Pas pësimit të golit, Franca pati shumë shanse shënimi, por nuk arriti të konkretizonte për asnjë moment. Spanjollët morrën frymë lirisht, kur mesfushori Paul Pogba u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushën e lojës.

Mali i Zi – Angli 1-1

Anglia nuk arriti më tepër se një barazim 1-1 me Malin e Zi në Podgoricë në duelin e Grupit H. Gjithsesi, skuadra e Roy Hodgson vazhdon të jetë prapa Malit të Zi në garë për vendin e parë.

Rooney kaloi “Tre Luanët” në avantazh në minutën e 6-të. Vendasit u kundërpërgjigjën me golin e Damjanoviç në minutën e 76-të të takimit.

Në vazhdim të dyja skuadrat patën raste për të shënuar sërish por nuk pati më gola. Pas këtij dueli, Mali i Zi vazhdon të kryesojë në Grupin H me 14 pikë, dy më tepër se Anglia.

Ndeshja pati edhe tensione, para dhe gjatë saj. Pak minuta para se të startonte dueli, një tifoz anglez u godit në kokë nga turma e tifozëve malazezë. Më pas gjatë ndeshjes, një grup tifozësh vendas u përleshën në shkallët e stadiumit me një grup tjetër po vendas.