Sonte derbi Inter - Roma, ja super sfidat tjera ne Evrope
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Futbolli europian hyn në një fazë të nxehtë ku duelet mes të mëdhenjve nuk do të mungojnë as këtë fundjavë. E shtuna futbollistike në Supersport do të kulmojë me një supersfidë që do të mbajë frymën e Serie A. Në orën 20:45 “San Siro” do të ndizet nga dueli i kreut mes Interit dhe Romës. Një 90 minutësh që do të heqë shumë pikëpyetje për formën e të dyja skuadrave.
Roberto Mancini, pavarësisht kartonit të kuq të marrë në Bologna, do të jetë i pranishëm në stol për të karikuar djemtë e tij, ndërsa mungesa më e madhe në mesfushë do të jetë ajo e Felipe Melos për shkak të dy kartonëve të verdhë të marrë në “Dall Ara” ku fitorja minimale e zikaltërve ka rritur moralin në prag të një prej sfidave më të rëndësishme të sezonit.
2 pikë është diferenca mes Interit dhe Romës kryesuese që rigjen sulmuesin e momentit Mouhamed Salah, ndërsa De Rossi edhe pse rikthehet nga skualifikimi mbetet ende në dyshim për shkak të një dëmtimi.
Diferencat mes dy skuadrave janë më të dukshme në sulm pasi verdhekuqtë e Garcias kanë realizuar plot 25 gola në 10 javë kampionat, 15 më shumë se zikaltërit që nuk e kanë gjetur ende formulën e vazhdimësisë përpara portës.
Mauro Icardi mbetet pika e referimit për milanezët që kërkojnë t’i japin një sinjal të rëndësishëm kampionatit. Në krahun tjetër, Roma gëzon shëndet të plotë me 5 fitore rresht në kampionat, duke u konfirmuar skuadra që duhet thyer pasi në merkaton e verës ndërtoi një grup të frikshëm me përforcime të shumta në sulm dhe mbrojtje. Një tjetër ndeshje interesante në javën e 11 të Serie A është edhe derbi i Torinos.
Juventusi kërkon të shkelmojë krizën dhe vetëm një fitore kundër “Demave” do të rikthente qetësinë në “Vinovo” ku skuadra është izoluar menjëherë pas disfatës në transfertën emiljane të Sassuolos. Skuadra e Allegrit është kopja e shëmtuar e asaj të sezonit të shkuar dhe për këtë fakt flet qartë klasifikimi pasi bardhezinjtë numërojnë vetëm 12 pikë, 3 më pak se kushërinjtë nga i njëjti qytet. Për shumë arsye, kjo ndeshje ka një aromë të veçantë pasi takimet derbi janë përherë të paparashikueshme dhe skuadra e Venturas ka treguar stabilitet gjatë sezoneve të fundit, duke rrezikuar seriozisht që Massimiliano Allegri të marrë një tjetër shuplakë. Ndeshja do të luhet në orën 18:00 në stadiumin e Juventusit.
Edhe në Spanjë do të zbresin në fushë peshat e rënda. Reali pret në orën 16:00 Las Palmas në “Bernabeu”. Një sfidë e lehtë në letër për ekipin e Rafael Benitez që synon të ruajë kreun e klasifikimit, ndërsa pak kilometra më larg Barcelona do të përgjigjet rreth 4 orë më pas nga transferta e Getafes. Madrilenët e vegjël synojnë të bëjnë surprizën e javës së 10, ndërsa Luis Enrique do t’i besojë sërish dyshes së sulmit Neymar-Suarez, të cilët e kanë nxjerrë nga telashet në ndeshjet e fundit, pavarësisht mungesës së detyruar të Lionel Messit. Një tjetër ndeshje interesante është edhe derbi mes Valencias dhe Levantes që do të luhet në orën 18:15, ndërsa Villarreali do të presë Sevillan në “El Madrigal”.
Në Gjermani Borussia Dortmund udhëton në Bremen për të konsoliduar pozitat në vendin e dytë, ndërsa Shalke 04 kërkon t’i japë fund krizës së rezultateve që kulmuan me eliminimin nga Kupa. Blutë Mbretërorë presin në “Veltins Arena” debutuesit e Ingolstadit. Kryendeshja e javës së 11 do të luhet në Wolfsburg ku Ujqërit presin Bayer Leverkusen në një 90 minutësh direkt për zonën Champions.
Në Eredivisie, Ajaxi kryesues pret Rodan për të ruajtur pozitat në krye të klasifikimit, ndërsa De Grafshap do të kërkojë t’i prishë punë PSV Eindhoven. /SS