e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pogba, Allegri, merkatoja, kush eshte pergjegjes per krizen e Juventusit?

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pogba, Allegri, merkatoja, kush eshte pergjegjes per krizen e Juventusit?

Herën e fundit që Juventusi e kishte nisur në këtë mënyrë një sezon në Serinë A, Diego Armando Maradona ishte shpallur fitues i titullit kampion në Itali me ekipin e Napolit dhe Micheal Jackson sapo kishte publikuar këngën Bad. Përgjegjësia e kësaj krize bie mbi shpatullat e drejtorit sportiv, Giuseppe Marotta, i cili kishte në ngarkim të zëvendësonte largimet e disa prej titullarëve me blerje të reja të cilët do të ishin në lartësi të situatës. Aktualisht bardhezinjtë ndodhen në kuotën e 12 pikëve pas 10 ndeshjesh të zhvilluara me vetëm 11 gola të shënuar gjatë këtij sezoni.

Për një klub që ka dominuar kampionatin italian në katër sezonet e fundit dhe arriti në finale të Champions League vetëm 4 muaj më parë, renditja aktuale është e papranueshme për drejtuesit e klubit dhe për disa nga veteranët si Gianluigi Buffon, i cili u shpreh i zhgënjyer për paraqitjen e ekipit të tij mbas humbjes ndaj Sassuolos. Largimi i tre lojtarëve të nivelit të lartë si Carlos Tevez, Andrea Pirlo dhe Arturo Vidal ishte një vendim i nxituar i Beppe Marottës. Një ekip që ka nevojë për rinovim duhet ti lejohet ta ndërmarrë këtë proces me një tranzicioni më të ngadaltë, jo me një revolucion të mirëfilltë. Shembull i këtij kolapsi ishte edhe Milani i Massimiliano Allegrit, pasi kuqezinjtë shitën Zlatan Ibrahimovic dhe Thiago Silva te PSG-ja në vitin 2012. Gjithashtu pamë edhe çfarë ndodhi me Manchester United pasi ekipi i Sër Alex Ferguson u shpërbë pas largimit të tij një vit më pas.

Ndërkohë që Tevez do të rikthehej te Boca Juniors për arsye familjare, dhe shitja prej 40 mln e Vidal deri diku ishte një marrëveshje e mirë, Pirlo mund të kishte qëndruar në rast se do ti jepeshin garanci për një vend titullari. Ajo që është e sigurt është që të tre futbollistët me eksperiencë nuk mund të largoheshin në të njëjtën kohë. Sigurisht largimet e Pirlos, Vidalit dhe Tevezit po ndikojnë shumë në paraqitjet e Juventusit, ndërsa lojtarët që u zgjodhën për të zëvendësuar këto emra, nuk kanë qenë në nivelin e duhur për të zëvendësuar këta tre kampionë, deklaroi ish legjenda e Juventusit dhe fituesi i Botërorit 1982, Paolo Rossi.

Juventusi kishte në dispozicion një buxhet prej 120 milionë eurosh për të mbushur boshllëqet, por kjo shumë u shpenzua jashtëzakonisht keq. Një e treta e shumës u shpenzua mbi 21-vjeçarin e Palermos, (26 milionë euro u shpenzuan mbi Alex Sandron, i cili u ble nga Porto. Paulo Dybala është padyshim një talent dhe i ka të gjitha aftësitë për tu shndërruar në një lojtar thelbësor për Juven, por ai është ende duke u zhvilluar dhe nuk është ende i aftë fizikisht për ta marrë mbi shpatulla ekipin kampion të Italisë, ashtu siç bënte bashkëkombësi i tij, Carlos Tevez.

Gati 40 milionë euro, u shpenzuan për blerjen e Mario Mandzukic dhe Simone Zaza. Kishte një arsye se përse Diego Simeone kërkonte me ngul të hiqte dorë nga sulmuesi kroat, teksa ai nuk kishte shënuar një gol që nga shkurti i këtij viti. Për sa i përket sulmuesit italian, ai u ble pavarësisht faktit që nuk kishte zhvilluar një sezon mbresëlënës me Sasuolon, ku kishte kaluar 3 muaj pa shënuar në 2015-n. Të dy bashkë, Mandzukic dhe Zaza nuk po gjejnë ritmin në Torino, me tifozët që tallen me statistikat e dy sulmuesve shtatlartë. Kroati ka goditur vetëm tetë herë portën në shtatë ndeshje që ka luajtur me fanellën bardhezi.

U shpenzuan para edhe në repartin e mesfushës. Marotta u mundua deri në fund të merkatos të sillte në Torino një mesfushor sulmues, por dështoi në marrëveshjen për blerjen e Draxler nga Schalke. I vënë përballë kësaj situate ai shpenzoi edhe 13 milionë euro të tjera për të marrë Hernanes nga Interi, mbi të cilin javën që shkoi pati deklaruar se nuk është një kampion. Vetem ardhja e Sami Khedirës me parametra zero dhe huazimi i Juan Cuadrados nga Chelsea u panë si blerje të suksesshme. Nëse mesfushori gjerman arrin të qëndrojë i pa dëmtuar, ai do të jetë një figurë e rëndësishme për bardhezinjtë. Por duhet thënë se Khedira nuk është Pirlo. Ai mund të fitojë duelet në mesfushë por nuk mund të fitojë ndeshjen. Dhe Cuadrado nuk është Tevez. Ai ka aftësi të jashtëzakonshme por nuk ka vazhdimësi dhe rendimentin e argjentinasit.

Juventusi ka kontrolluar mbajtjen e topit në shumicën e ndeshjeve të luajtura gjatë këtij sezoni. Vetëm në Olimpico ndaj Romës ata nuk arritën ta bëjnë një gjë të tillë. Por pa kreativitetin e Pirlos dhe Tevezit, ata nuk arrijnë të krijojnë raste për shënim ndaj mbrojtjeve solide. Kjo është përgjegjësia e Marottës, i cili nuk mundi të zëvendësonte kreativitetin dhe rendimentin, duke sjellë dhe rënien e Juventusit. Paul Pogbasë iu dha fanella me numër 10, duke marrë edhe përgjegjësinë për të qenë lideri i Juventusit post-Tevez dhe Pirlo, por deri më tani ka zhgënjyer. Ai ka shënuar një gol me anë të një 11-metërshi dhe ka dhënë vetëm një asist në Serie A. Futbollisti francez është fenomenal në mesfushë, pior nuk është një organizator i mirëfilltë dhe nuk pa arrin të prodhojë ato individualitete magjike që çdo ekip i madh ka nevojë nga lojtari i tyre kryesor.

Ndryshimet e shumta taktike të Allegrit nuk e kanë ndihmuar Pogba, apo Juventusin në tërësi. Këtë sezon ai e nisi me katër formacione të dnrsyhme në 10 ndeshje të zhvilluara në Serinë A, 4-3-1-2, 3-5-2, 4-3-3 dhe 4-4-2 duke i ndryshuar këto formacione edhe gjatë ndeshjeve. Ky fleksibilitet taktik ishte thelbësor në suksesin e Juventusit gjatë sezonit të kaluar, por këtë sezon këto ndryshime kanë sjellë vetëm konfuzion në një ekip të ri që ka nevojë për lojtarët të njihen me lojën e njëri tjetrit. Pasi mposhti Atalantën duke luajtur me formacionin 4-3-1-2 të dielën e kaluar, në mënyrë të pashpjegueshme Allegri zgjodhi të luante ndaj Sassuolos me formacionin 3-5-2, teksa në inferioritet numerik, Juventusi pësoi humbjen e katërt të sezonit.

Trajneri bardhezi, i cili do të gjendet në presion të madh në rast se nuk do të arrij të fitojë derbin e së shtunës ndaj Torinos, ka bërë rotacion të vazhdueshëm midis sulmuesve që ka në dispozicion, dhe nuk është çudi që vetëm Dybala ka qenë futbollisti që ka shënuar më shumë se një gol në kampionat. Allegri mban një pjesë jo të vogël të përgjegjësisë në dështimin e Juventusit. Aktivizimi i Simone Padoin si mbrojtës i djathë ndaj Napoli kur përballë kishte Lorenzo Insigne solli humbjen n San Paolo. Lënia në stol e Khedirës ndaj Sassuolos, pas mungesës së Marchisios ishte një vendim i gabuar.

Allegri është justifikuar disa herë me faktin që Juventusi ka pasur 14 dëmtime gjatë këtij fillim sezoni. Megjithatë, trajneri dhe drejtuesit duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Përgatitja atletike ishte e gabuar, deklaroi një tjetër legjendë e Juves, Marco Tardelli. Juventusi e mbylli sezonin e kaluar më vonë se ekipet e tjera për shkak të Champions League-s, por Allegri vendosi ti grumbullonte më herët lojtarët e tij për tu përgatitur për Superkupën e Italisë ndaj Lazios. Sikur të mos mjaftonte, ai kërkoi që përgatitja para sezonale të kryhej në Vinovo, në temperatura të larta, në vend që të shkonin në alpet italiane sipas traditës. Edhe këto vendime kontribuuan në dëmtimet e shumta.

Duhet thënë se fati nuk po i buzëqesh Zonjës së Vjetër. Juventusi ka arritur të koleksionojë vetëm dy pikë nga ndeshjet ndaj Udineses, Frosinones, Chievo-s dhe Sassuolos, duke goditur vetëm gjashtë herë portën në të gjitha këto takime së bashku. Gianluigi Buffon ka pësuar gol në 5 ndeshje deri më tani. Edhe ndaj Romës, përsëritjettelevizive tregojnë që Miralem Pjanic shënoi lehtësisht pasi distanca nga muri ishte 12 metra, në vend të 10 metrave që kërkohet nga rregullorja. Bardhezinjtë kanë ndryshuar shumë, dhe gjithashtu kanë qenë edhe të pafat. Në ndeshjet ndaj Udinese, Chievo dhe Frosinones ata nuk arritën të konkretizonin rastet e krijuara për shënim, deklaroi ish trajneri i Juventusit, Gigi Del Neri. Megjithatë, jam i bindur se Juventusi do të arrijë të rikthehet në garë për titull. Nuk ka shumë njerëz që e mendojnë si Del Neri. Pjesa më e madhe e tifozëve do të firmosnin për një vend në Champions League, teksa për të mbrojtur titullin do të duhej një arritje e jashtëzakonshme që Juvja të arrinte Romën.