e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Skenderbeu njeh fatin te henen

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skenderbeu njeh fatin te henen
Dita e hënë do të jetë ajo kur skuadra e Skënderbeut do të mësojë se cili do të jetë emri i kundërshtarit në turin e parë të Ligës së Kampioneve për sezonin 2013/2014. Kampionët në fuqi të Shqipërisë, të cilët kanë nisur përgatitjet që javën e kaluar, kanë përballë një detyrë mjaft të vështirë, pasi mes kundërshtarëve të mundshëm janë skuadra me emër që kanë shkruar historinë e këtij turneu.

Koeficienti i ulët i skuadrës korçare në Ligën e Kampioneve, vetëm 2.833, e bën atë një prej ekipeve të vazos së dytë, si rrjedhojë e faktit se në dy edicionet e fundit ku ka marrë pjesë në Ligën e Kampioneve, fituesit e Superligës kanë regjistruar vetëm një fitore 1-0 ndaj Debreçen dhe 3 humbje (3-0 përballë Debreçen, 0-2 dhe 4-0 përballë APOEL). Ndaj ekipit korçar po përgatitet për një tjetër sfidë mjaft e fortë në këtë edicion.

Emrat që ka përballë këtë herë janë skuadra të cilat janë mësuar të ecin gjatë në Kupat e Europës, pa harruar se dy prej tyre kanë fituar në të kaluarën Ligën e Kampioneve. Dy emrat që duhen evituar padyshim për shkak të cilësisë së tyre dhe historisë që mbartin janë Sëlltik Glasgou dhe Steaua Bukuresht. Të dy këto ekipe janë fitues të mëparshëm të këtij aktiviteti, ndërsa për skocezët duhet kujtuar se në edicionin e kaluar mbërritën mes 16 më të mirëve në këtë turne. Me falimentimin financiar të Rejnxhërs, Sëlltik është kthyer në kampionen e padiskutueshme në Skoci, duke marrë tashmë talentet më të mëdha të futbollit të këtij vendi, ndërsa thuajse çdo vit “prodhon” lojtarë për ekipet angleze. Ndërkohë, Steaua ka hyrë në histori si skuadra e parë e Europës Lindore që fiton Ligën e Kampioneve, pasi ka arritur të triumfojë në këtë aktivitet në vitin 1986, ndërsa ka shkuar në finale edhe në vitin 1989. Kriza e futbollit në Europën Lindore pas viteve ’90 përfshiu edhe këtë klub të lavdishëm rumun, por që tashmë duket se po bën hapa të rëndësishëm para për t’u kthyer në nivelet e mëparshme, duke fituar titullin kampion që i mungonte prej 7 vitesh.

Emrat e tjerë që duhen evituar janë përsëri skuadra të lindjes, ku spikatin bjellorusët e BATE Borisov, çekët e Viktoria Plzen dhe kroatët e Dinamo Zagreb. Të tri këto skuadra kanë regjistruar ecuri të mirë në Kupat e Europës në vitet e fundit, me bjellorusët dhe kroatët që kanë regjistruar shpesh paraqitje shumë dinjitoze në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve. Ndërsa çekët e Viktoria Plzen kanë qenë dy sezone më parë në fazën në grupe të turneut, kurse në edicionin e kaluar luajtën në Europa League duke arritur mes 16 skuadrave më të mira të këtij turneu.

Duke parë emrat që kanë përballë, korçarët shpresojnë që të paktën goglat e shortit të jenë të favorshme për sa u përket radhës së ndeshjeve. Nëse goglat e shortit i vënë përballë një prej ekipeve të mësipërme, drejtuesit do të preferonin të luanin në fushën e tyre ndeshjen e parë, në mënyrë që të kishin mbështetje sa më të madhe nga tifozeria në kërkim të një rezultati historik, të paktën në takimin në Shqipëri. Nëse kundërshtari do të ishte më i pranueshëm, në këtë mes hyn preferenca e takimit të parë në fushën kundërshtare, në mënyrë që të provohet kualifikimi në ndeshjen e dytë përpara tifozëve korçarë. Ndeshjet e para të turit të dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve ku merr pjesë Skënderbeu luhen me 16-17 korrik, ndërsa ato të kthimit vetëm një javë më vonë, me 23-24 korrik.

Shorti i Ligës së Kampioneve

Skuadrat pjesëmarrëse

Turi i parë kualifikues

EB/Streimur (Ishuj Faroe)

SP Tre Pene (San Marino)

FC Lusitans (Andorra)

FC Shirak (Armeni)

 
Turi i dytë kualifikues

Vazo 1

FC BATE Borisov (Bjellorusi)

Sëlltik FC (Skoci)

FC Steaua Bukuresht (Rumani)

FC Viktoria Plzen (Çeki)

GNK Dinamo Zagreb (Kroaci)

FK Partizan (Serbi)

Legia Varshavë (Poloni)

FC Sherif (Moldavi)

NK Maribor (Slloveni)

SK Slovan Bratislava (Sllovaki)

IF Elfsborg (Suedi)

Makabi Tel-Aviv FC (Izrael)

Molde FK (Norvegji)

HJK Helsinki (Finlandë)

FK Ekranas (Lituani)

Neftçi PFK (Azerbajxhan)

FC Dinamo Tbilisi (Gjeorgji)

Vazo 2

FK Zheljezniçar (Bosnjë-Hercegovinë)

FH Hafnarfjordur (Islandë)

Gyori ETO FC (Hungari)

Nju Seints FC (Uells)

PFC Ludogorets Razgrad (Bullgari)

Sligo Rovers FC (Irlandë)

FC Shakhter Karagandi (Kazakistan)

KS Skënderbeu (Shqipëri)

Birkirkara FC (Maltë)

FK Vardar (Maqedoni)

Kliftonvill FC (Irlandë e Veriut)

FC Daugava Daugavpils (Letoni)

FK Sutjeska (Mali i Zi)

JK Nome Kalju (Estoni)

CS Fola Esh (Luksemburg)