Godelli, tri te arta dhe rekord ne Mesdhetare
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Daniel Godelli ka arritur të sigurojë tri medalje të arta në Lojërat Mesdhetare Mersin 2013, duke vendosur njëkohësisht edhe një rekord për këtë aktivitet në peshën 69 kilogramë.
Peshëngritësi elbasanas, i cili në Europianin e zhvilluar në prill në Tiranë siguroi një medalje të artë dhe dy të bronzta, këtë radhë ka përfituar nga mungesa e konkurrentëve të fortë në peshën e tij, ndërsa ka dominuar qetësisht që në provën e parë në shkëputje. Ai realizoi me sukses ngritjen 141 kilogramë, duke marrë kryesimin e garës dhe medaljen e artë, ndërsa më pas tentoi rekordin e aktivitetit, peshën 151 kilogramë. 21-vjeçari nuk e realizoi provën e tij të parë në këtë peshë, por më pas kaloi me sukses të dytën, duke vendosur emrin e tij në librin e rekordeve të Lojërave Mesdhetare.
Ngritja e kësaj peshe ka thyer njëkohësisht edhe rekordin kombëtar që mbahej po nga Godelli me peshën 148.5 kilogramë, duke konfirmuar se ai tashmë është një nga figurat më përfaqësuese të shtangës shqiptare,
Më pas, radhën e kishte gara për stilin e shtytjes, ku përsëri Godelli nuk ka pasur rivalë, duke regjistruar peshën 174 kilogramë, e paarritshme për peshëngritësit e tjerë. Megjithatë, duhet theksuar se kjo nuk ishte prova më e mirë e peshëngritësit shqiptar, i cili në Europian, në këtë peshë, realizoi ngritjen 180 kilogramë.
Me totalin e 325 kilogramë, Godelli ishte triumfuesi i padiskutueshëm i peshës 69 kilogramë në Mersin 2013, duke arritur të marrë të tria medaljet e arta.
Në të njëjtën peshë, me medalje të bronztë në shkëputje, shtytje dhe dygarësh, u rendit një tjetër peshëngritës shqiptar, Briken Çalja, që e çoi në 6 numrin e medaljeve të marra nga delegacioni i peshëngritjes shqiptare nga një garë e vetme. Në rastin e Çaljes duhet theksuar se ngjyra e medaljes do të kishte qenë e ndryshme në stilin e shkëputjes, pasi realizoi ngritjen 138 kilogramë, të barabartë me tunizianin Ben Hnia. Por ky i fundit kishte një peshë trupore më të lehtë se peshëngritësi shqiptar dhe i rrëmbeu medaljen e argjendtë. E. Kuka