Skënderbeu, ndryshon sulmin, ka dilema edhe në mesfushë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skënderbeu do të lua jë këtë javë një ndeshje delikate ndaj Vllaznisë dhe situata në kampin korçar nuk duket shumë pozitive për trajnerin Josa. Pasi ka humbur shërbimet e Hamdi Salihit për shkak të një dëmtimi, tekniku me shumë mundësi nuk do të ketë të gatshëm as Sebino Plakun.
Sulmuesi kryeqytetas, që po tregon rritje të formës së tij, për më tepër i rikthyer me gol në miqësoren kundër Pogradecit, ka pësuar në kontraktim në kofshë dhe ka bërë stërvitje të diferencuar.
Sikundër duket nga kontrollet e para mjekësore, lojtari duhet të bëjë tri ose katër ditë punë individuale, çka bën që lojtari të humbasë takimin e radhës. Megjithatë mungesa e tij me kuqeblutë nuk është konfirmuar plotësisht nga stafi mjekësor, por koha që i duhet futbollistit për t'u rikuperuar e nxjerr atë praktikisht jashtë ekipit për këtë përballje.
Alternativat - Duke parë një situatë të tillë të krijuar në sulm pas dëmtimeve të Salihit dhe të Plakut, duket se një mundësi të artë do të ketë paraguaiani Angel Orue për të bërë debutimin e tij të parë në kampionat. Por, pavarësisht situatës, gjasat që Orue ta nisë takimin si titullar janë të pakta. Kjo pasi dyshja Xhejms-Renatinjo është më e favorizuar.
Një vendosje të tillë trajneri bardhekuq e ka provuar ditën e djeshme gjatë gjithë seancës stërvitore, ku gjithmonë dyshja e sulmit ishte e krijuar nga Renatinjo dhe Xhejms, i cili do të luajë si "pykë" e parë kundër shkodranëve.
Formacioni - Prej ditës së djeshme, trajneri ka nisur përgatitjet për ndeshjen e kësaj fundjave kundër Vllaznisë duke vendosur edhe bazat e formacionit që do të hidhet në fushë nga minuta e parë e takimit. Në portë Shehi mbetet titullar edhe pse dje nuk ishte në stërvitje për shkak të grumbullimit me Kombëtaren.
Menjëherë pas tij Vangjeli është në të djathtë dhe Arapi në të majtë. Ndërsa në qendër Osmani dhe Radas pritet ta nisin nga minuta e parë këtë takim. Në mesfushë dilema e vetme e Josës është mes Shkëmbit dhe Orelesit, ku një prej tyre do të jetë në krah të Lilajt.
Në të djathtë është Progni dhe në të majtë pritet rikthimi i Latifit. Ndërsa në sulm deri më tani qëndron dyshja mes Renatinjos dhe Xhejms, që do të përpiqen t'i japin fitores skuadrës korçare. Një gjë e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë, duke parë se Vllaznia do të luajë e mbyllur në prapavijë, për të mos dalë pa pikë.