e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Skenderbeu merr kreun ne Vlore

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skenderbeu merr kreun ne Vlore

Skënderbeu merr kreun në Vlorë, duke u kthyer ekipi pretendent për të fituar titullin kampion. Në javën e 26-të të Superiores gjithçka është përmbysur në minutat e mbrëmjes. Korçarët dolën pas 39 vitesh me rezultatin maksimal në Superiore nga Vlora, duke marrë tashmë dhe kreun e vetmuar të renditjes. Goli i Stojkov vendosi ndeshjen, pas një 90 minutëshi që dha spektakël për të pranishmit në stadium. Me një formacion përgjysmë, Flamurtari nuk ia doli. Për Skënderbeun “goli i artë” erdhi në fillimin e pjesës së dytë, me Stojkov. Me këtë rezultat korçarët janë të parët në kuotën 54 pikëve dy më shumë se Kukësi i dyti në renditje. Pikërisht këta të fundit kanë zhgënjyer në Durrës përballë Tiranës duke humbur kreun. Bardheblutë bindën me lojë gjatë gjithë 90 minutave. Tomislav Bushiç ishte heroi i ndeshjes me gol e asist, e duke ngjitur ekipin në në vendin e tretë me 50 pikë. Për kronikë në minutën e 71-të, Bushiç gëzoi stadiumin me një të majtë nga kufiri i zonës së rreptësisë që e detyroi Halilajn të zgjatej në limite, por topi ndali në rrjetë. Kukësi e humbi përqendrimin në fushën e lojës dhe tregues i qartë për këtë është gabimi i Zeqirit dhe Pit nga ku nisi edhe kundërsulmi i Tiranës që u finalizua nga Gjergji Muzaka pas asistit të Bushiç. 2-0 dhe Tirana kthehet në lojën për titull ndonëse është 4 pikë larg kreut. Por gjithsesi ka për të luajtur edhe një ndeshje atë me Partizanin në derbi dhe nëse fiton mund të jetë vetëm një pikë larg vendit të parë. Zhgënjim total për Partizanin.

Në dy ndeshjet e fundit me Vllazninë skuadra e Duros ka humbur 6 pikë. Edhe në takimin e djeshëm të kuqtë nuk ia kanë dalë. “Vetëvrasje” mund të quhet ajo që kanë bërë të kuqtë në Shkodër. Të kuqtë, që vinin pas një fitoreje të diskutuar me Flamurtarin, në letër mendohej se do të kishin një ndeshje të lehtë, por Vllaznia në debutimin e Zmijanit përpara publikut të tij nuk u tregua aspak inferiore me 90 minutëshin e të kuqve, që mbeti te pretendimet për 11-metërsh si ato të minutës së pestë nga Vila dhe të 18-tës nga Raçiç. Gjithsesi është shumë e rëndë ajo që ndodhi në fushën e lojës. Partizani humbet gjashtë pikët e radhës me Vllazninë dhe komprometon kreun. Derbi tanimë është jetësor. Nëse humbet edhe atë ndeshje Partizani është jashtë luftës titull.

Apolonia tani “ëndërron” Superioren

Apolonia ka mundur Teutën me rezultatin 2-1 duke hapur mundësinë e qëndrimit në Kategorinë Superiore. Në minutën e 24-rt, ndihmuar edhe nga fati fierakët kalojnë në avantazh me Amarildo Dimon në zhvillimet e një goditjeje dënimi, teksa krosimi i tij përfundoi direkt e në rrjetë pa u prekur nga asnjë futbollist. Durrsakët nuk mund të bënin asgjë në minutën e 56-të, sepse talenti fierak Realdo Fili lëshoi goditje të befasishme prirët me portën, me topin që përshëndeti rrjetën. Në të 81-ën pas goditjes me kokë të Kotobellit Teuta shkurton rezultatin, por vetëm kaq. Fiton Apolonia që tani është vetëm tre pikë larg mbijetesës. Në fund të ndeshjes trajneri Artan Mërgjyshi është shprehur se: “Kemi punuar shumë për të arritur te këto rezultate. E ndjeva frikën e ndeshjes me Kukësit, por meritonim më shumë dhe ia arritëm suksesit. Gara për mbijetesë e hapur. Ozuni dhe Fili po fitojnë personalitet janë me cilësi fizike dhe teknike. Po formojnë personalitetin dhe po bëhen vendimtare për lojën tonë, por nuk duhet të shfaqin shenja egoizmi", ka mbyllur trajneri. Në takimin tjetër Laçi merr fitoren 5 radhazi. 23 pikë të grumbulluara në 9 ndeshjet e fundit, është Laçi skuadra e momentit në kategorinë Superiore dhe diçka të tillë e tregojnë faktet. Elbasani rezultoi një kafshatë e lehtë për skuadrën e Cungut me Laçin që arriti të fitonte 2-0 në Kamëz përballë verdhebluve të Dostit duke u ngjitur në kuotën e 44 pikëve.

Ndeshjet e djeshme

Apolonia-Teuta 2-1

Vllaznia-Partizani 1-0

Golat: Cinari 90′

Tirana-Kukësi 2-0

Golat: Bushiç 72′ Muzaka 78′

Flamurtari-Skënderbeu 0-1

Golat: Stojkov 51′

Elbasani-Laçi 0-2