'Shkoj ne Shqiperi qe te jem me kembe ne toke'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shkodran Mustafi, në një intervistë shumë interesante për TagesSpiegel, flet për nevojën për të qenë modest, edhe pse fiton shumë tashmë si lojtar i Valencias dhe si kampion bote me Gjermaninë.
“Shoh dikë që punon shumë dhe në fund të muajit nuk ka para më. Kjo është jeta e vërtetë dhe jo jeta që bëj unë. Ajo që bëj unë është një ëndërr, që e ëndërrojnë shumë, por shumë pak e përmbushin. Për shkak të rrënjëve të mia, shkoj shpesh në Shqipëri, për të vizituar familjen. Atje njerëzit jetojnë me 200, 300 euro në muaj”.
“Unë udhëtoj drejt Shqipërisë që të qëndroj me këmbë në tokë. Udhëtoj me qejf atje çdo vit, edhe pse tani është më e vështirë”.
“Kjo për shkak se jam shqiptari i parë që ka fituar titullin e kampionit të botës. Kjo bën që njerëzit të më shohin me një sy tjetër. Nuk është e lehtë të ecësh pa u vënë re. Por më ndihmon kur shkoj atje. Nuk më duhet ta kem gjithçka të shtrenjtë. Nuk udhëtoj me makinën më të bukur. Nuk më duhen cezma ari. Kërkoj të jem realist dhe normal”.
I pyetur se përse nuk zgjodhi kombëtaren shqiptare, ai thotë: “Nuk ishte e lehtë. Shqipëria është atdheu i prindërve të mi. Por nuk doja të bëhesha heroi i një kombi, doja të bëja karrierë”.