e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Skenderbeu-Tirana, sot ndahet Superkupa

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skenderbeu-Tirana, sot ndahet Superkupa
Futbolli shqiptar, i mbërthyer nga kaosi i licencimeve, që kushtëzoi shtyrjen e fillimit të kampionatit, rikthehet më në fund në skenë. Dhe këtë e bën nëpërmjet finales së Superkupës së Shqipërisë, e cila do të shohë sot përballë Skënderbeun (fitues të titullit kampion) dhe Tiranës (fituese të Kupës së Shqipërisë). Takim do të luhet sot në mbrëmje, në orën 20:00, në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës dhe do të transmetohet ekskluzivisht nga “SuperSport”. Skënderbeu kërkon Superkupën, pasi është i etur për trofe (në vitrinën e tij ka një titull kampion të vitit 1934 dhe këtë të fundit të 2011-s). Me këtë bindje, trajneri i skuadrës korçare Shpëtim Duro pret sfidën e parë të rëndësishme, që hap edhe sezonin e ri të futbollit shqiptar kundër Tiranës. Në një prononcim të tij, tekniku shprehet se ky trofe nuk ka vlerën e titullit kampion, por është i rëndësishëm për të nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri, ku Skënderbeu do të ketë detyrën e vështirë për të ruajtur kurorën e Superiores.

“Kjo është një ndeshje e rëndësishme për sezonin e ri, i barabartë me një trofe, pavarësisht se nuk është në rëndësinë e kampionatit dhe të Kupës së Shqipërisë, është një trofe dhe për skuadrën korçare është shumë e rëndësishme, sepse është një skuadër e etur për trofe dhe normalisht kërkon ta fitojë këtë kupë, atij sezoni të shkëlqyer ku fituam titullin”, rrëfeu Duro. Sa i përket ndeshjes, Duro thotë se të dyja skuadrat paraqiten me shanse të barabarta, megjithëse fakti që ndeshja luhet në Korçë favorizon disi vendasit. “Kemi një lloj shansi më shumë, sepse luajmë në stadiumin tonë, por kjo nuk është gjithçka, sepse është një finale dhe shanset janë të barabarta, si për ne, ashtu edhe për Tiranën. Sikur ne të luanim në Tiranë.

Nuk shihen këto diferenca, normalisht kur ke skuadra të mira dhe gjithçka vendoset brenda një takimi. Të mundësh Tiranën në finale është diçka e veçantë, ndaj ne do të japim maksimumin tonë”, theksoi ai. Shpëtim Duro do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët e tij në ndeshjen e sotme, ndërsa është në pritje të kundërshtarit. Tirana nga ana e saj është gjithnjë një ekip trofesh. Edhe kësaj radhe duket se nuk bëhet asnjë përjashtim, edhe pse bardheblutë vijnë nga një sezon jo shumë pozitiv, ku gjithsesi minimizuan dëmet me fitimin e Kupës së Shqipërisë, që garantoi edhe një vend në Kupat e Europës. Skuadra ka ndryshuar thuajse krejtësisht fytyrë në krahasim me sezonin e kaluar. Në pankinë është ulur një trajner i huaj, spanjolli Hulian Rubio Sançez, ndërsa ekipi është përforcuar me shumë blerje të reja.