e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Rrefehet Beqaj: Ja arsyet pse vendosa te var dorezat ne gozhde

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rrefehet Beqaj: Ja arsyet pse vendosa te var dorezat ne gozhde
Ishte një vendim i papritur, i cili i ka befasuar të gjithë, por ndoshta i detyruar nga kushtet dhe shumë i vështirë për t’u marrë. Kështu cilësohet lamtumira e dhimbshme e Arjan Beqajt, portierit të Kombëtares kuqezi, nga jeta si futbollist aktiv. Pas një viti të pafat, i ndikuar nga dëmtimet që e lanë jashtë fushave për një kohë të gjatë, dhe së fundmi, i ndikuar paksa ndoshta edhe nga shkrirja e ekipit të tij, Ermis Aradipou, ish-numri 1 i portës së Shqipërisë vendosi të varë dorezat në gozhdë. Për të nuk ishte aspak e lehtë. Por 35-vjeçari do t’i mbetet besnik sportit më të popullarizuar, pasi menjëherë është emëruar trajner i portierëve te gjiganti qipriot, Anorthosis Famagusta.

 “Kam vendosur të tërhiqem nga futbolli. Për shkak të dëmtimeve të shumta, kam menduar se kjo është rruga më e mirë. Ishte shumë e vështirë ta marr këtë vendim, por erdhi oferta nga Anorthosis dhe e pranova”, është shprehur dje Beqaj për gazetën kosovare “Express”. Portieri nga Prizreni, gjatë karrierës ka zhvilluar shumë ndeshje në nivelin e Kombëtareve dhe klubeve. Megjithatë, 35-vjeçari e ka të vështirë të veçojë ndonjë ndeshje që i ka lënë më shumë mbresa. “Është shumë e vështirë të veçosh ndonjë ndeshje, pasi të gjitha kanë emocionet e veta, rrëfehet gardiani i portës kuqezi. Si me Kombëtaren, ashtu edhe me klube, momentet më të mira janë kur arrin sukses. Futbolli nuk është i lehtë, ka momente të vështira, duhet të sakrifikosh. Unë jam i kënaqur me ato që kam arritur”. Që nga e hëna, e ardhmja e Beqajt do të jetë në rolin e ndihmësve të trajnerit bullgar, Stanimir Stoilov. “Kam qenë i përgatitur për këtë post, pasi kam parë stërvitje të tilla në vende të ndryshme. Çdo fillim është i vështirë, gjithashtu edhe roli im i ri, por jam optimist se do t’ia dal”, theksoi ish-portieri i Kombëtares.