Skënderbeu/ Josa i përgjigjet Gjicit: Le të hetojë aleancat
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Aleancat për trajnerin e Skënderbeut, Mirel Josa, janë të panjohura. Një gjë të tillë e ka konfirmuar trajneri i korçarëve në një intervistë për "Panorama Sport", duke i kthyer përgjigje në njëfarë mënyre edhe presidentit të Kukësit, Safet Gjici. Josa gjithashtu ka folur dhe për takimin e sotëm ndaj Laçit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke thënë se skuadra e tij do bëjë më të mirën.
Nesër (sot) luani ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Laçit. Si po e prisni këtë takim?
Ndeshjet e Kupës kanë specifikat e tyre, pasi janë me dy takime. Laçi është një kundërshtar i fortë dhe ne e kemi quajtur ekspert të këtij kompeticioni, duke qenë se në tri vitet e fundit ka arritur të bëjë mirë në këtë trofe. Një gjë e tillë natyrisht që e bën takimin më impenjativ për ne dhe mjaft të rëndësishëm.
Është gati skuadra juaj për të luajtur këtë kompeticion, krahas kampionatit?
Sigurisht që jemi munduar të jemi gati me aq mundësi sa kemi. Sot (dje) mbyllëm përgatitjet për takimin dhe mendoj se do të jemi të përgjegjshëm në fushë dhe të përqendruar vetëm te kjo përballje.
Sa e vështirë do të jetë që të garoni njëkohësisht në dy kompeticione?
Derisa arritëm deri në këtë pikë në Kupë, mendoj se nuk do të jetë shumë e vështirë për t'i përballuar. Jemi një hap larg finales në Kupë dhe do mundohemi të përmbushim objektivat sezonalë që kemi.
Duhet të presim ndryshime në ekip, krahasuar me ndeshjet e kampionatit?
Sa i përket mentalitetit të lojës dhe përgatitjeve nuk do të ndryshojmë aspak. Ndërsa, për sa i përket formacionit që do të hedhim në fushë, mund të ketë disa ndryshime. Megjithatë nuk do të jenë të shumta. Ajo që ka rëndësi, thelbi apo kolona e ekipit që do të jetë në fushë.
Nëse mund të na i thoni, cilat janë mangësitë e Skënderbeut në këtë përballje?
Më duhet të konfirmoj mungesat e Salihit, Shkëmbit apo edhe Nimagës që nuk do të jenë gati për këtë sfidë, së bashku me Abilaliajn natyrisht. Për këtë ndeshje na kthehet Sebino Plaku dhe duhet të shohim gjendjen e tij për të vendosur më pas edhe se cilët do të jenë 11 titullarët. Besoj se mungesat janë të rëndësishme, por gjithsesi ne kemi lojtarët për të bërë zëvendësimin e tyre.
Mendoni se ndeshja e parë që do të luhet në Laç do të vendosë shumë për kualifikimin në finale?
Përderisa do të jenë dy takime, atëherë të jeni të bindur se nuk do të vendosë gjithç- ka. Ne do mundohemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë në të dy takimet dhe të jemi sa më të përqendruar te kjo ndeshje e parë. Dihet që takimi i sotëm në Laç do të jetë mjaft i rëndësishëm si për Kupën, edhe për ndeshjen e radhës që do të kemi në Kukës.
Pas barazimit të Partizanit ndaj Laçit po aludohet gjithmonë e më shumë se mes Skënderbeut dhe kurbinasve ka një aleancë. Keni një koment në lidhje me këtë çështje?
Në çfarë konsiston kjo aleancë, sepse nuk po e kuptoj?
Në faktin që Laçi të frenonte Partizanin në kampionat dhe Skënderbeu të tolerojë në Kupë?
Mendoj se Laçi atë takim e luajti për veten e tij dhe për asnjë tjetër, ashtu sikundër edhe ne do të luajmë për veten tonë dhe për askënd tjetër. Ndoshta këto aludime i kanë ata që kanë eksperienca personale nga të tilla situata. Unë nuk kam pasur asnjë eksperiencë të mëparshme, që kur jam në krye të Skënderbeut. Ata që kanë pasur, nxjerrin konkluzione nga eksperienca. Nëse kanë këto aludime, atëherë le të shkojnë t'i kërkojnë atje ku janë mësuar t'i kërkojnë.
Ashtu si një sezon më parë, a mund të jetë ndeshja ndaj Kukësit vendimtare për titullin kampion?
Po shoh që ndeshjes kundër Kukësit që do të luajmë ne pas një jave po i jepet shumë rëndësi. Nuk besoj se ky takim do të vendosë titullin. Vjet ajo sfidë ishte vendimtare, pasi fituam në Kukës dhe morëm titullin. Këtë vit të gjitha takimet e mbetura janë shumë të rëndë- sishme dhe kanë të njëjtën rëndësi deri në fund, sa të lejon matematika.