Skënderbeu/ Gjashtë pikë më shumë se sezoni i kaluar
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ecuria në këtë kampionat e ekipit kampion në fuqi ka qenë me të vërtetë mbresëlënëse.
Nga 26 javët e zhvilluara deri më tani, kur duhet edhe një takim për të mbyllur tri fazat e para të kampionatit, Skënderbeu ka grumbulluar 60 pikë (19 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje), duke mbajtur kështu vendin e parë në klasifikim me katër pikë më shumë sesa vendi i dytë, ku ndodhet Partizani.
Nëse do të shohim ecurinë e Skënderbeut në këtë sezon, duke e krahasuar me sezonin e kaluar, bardhekuqtë e Josës kanë grumbulluar plot 6 pikë më shumë se një vit më parë, në të njëjtën periudhë të kampionatit.
Në sezonin 2014- 2015, Skënderbeu kishte 54 pikë të grumbulluara pas javës së 26-të. Korçarët kishin regjistruar 16 fitore, 6 barazime dhe 4 humbje. Por, ajo çka të bën përshtypje nga një sezon më parë mbetet fakti që pikërisht vijimësia e Partizanit e mban në lojë ende titullin kampion, pasi me këtë ecuri sezonin e kaluar bardhekuqtë mund të ishin me një dorë të hedhur te titulli i gjashtë radhazi.
Këtë sezon Skënderbeu është i shkëputur me një diferencë prej katër pikësh nga vendi i dytë, ndërsa një vit më parë në të njëjtën periudhë të kampionatit bardhekuqtë kishin vetëm 2 pikë diferencë nga Kukësi i vendit të dytë. Ndërsa katër pikë ishte diferenca me Partizanin e vendit të tretë dhe Tiranën e vendit të katërt. Këtë sezon kjo diferencë është thelluar akoma edhe më shumë. Rritje të ndjeshme bardhekuqtë kanë shënuar edhe për sa i përket golavarazhit në total dhe golave të shënuar.
Skënderbeu, me në krye Hamdi Salihin, ka shënuar plot 51 gola, me një golavarazh +33 gola, kurse një vit më parë kampionët kishin shënuar 35 gola dhe golavarazhi ishte +24. E vetmja rënie është për sa i përket mbrojtjes, ku ekipi ka pësuar 7 gola më shumë sesa edicionin e kaluar, 18 këtë vit nga 11 në sezonin 2014-2015.
Pra, sikundër mund të duket qartë, nga mbrojtja që ishte pika e fortë e Skënderbeut sezonin e kaluar, këtë vit sulmi është ai që tremb te bardhekuqtë, me Salihin, që ka shënuar deri më tani 21 gola dhe udhëheq listën e golashënuesve të Kategorisë Superiore. Në krahasim me të gjitha sezonet e titujve, këtë herë korçarët kanë shansin të thyejnë rekordet e vendosura po vetë në periudhën 2011- 2015.
Përgatiti: Ll.Saro