e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Skandali i basteve, perfshihen big-et e futbollit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skandali i basteve, perfshihen big-et e futbollit
Dalin emrat e tre futbollistëve të njohur të futbollit italian në lidhje me skandalin e basteve që ka shpërthyer në Itali. Në një përgjim telefonik, Nicola Santoni, ish-përgatitësi atletik i Ravenës është shprehur se Gianluigi Buffon, Gennaro Gattuso dhe Fabio Cannavaro janë “të sëmurë” pas basteve: “Buffon luan 100-200 mijë euro në muaj. Ai, Gattuso dhe Cannavaro janë të sëmurë!” Për momentin, kapiteni i Juventusit (Buffon), ai i Milanit (Gattuso) dhe ish-kapiteni i kombëtares italiane (Cannavaro) nuk kanë komentuar. Ky përgjim është i 30 shtatorit dhe është një bashkëbisedim i regjistruar në makinën e Santonit, i cili ka përfunduar në burg në kuadër të hetimit mbi bastet në futbollin italian. Biseda është e përqendruar në çështjen e basteve dhe sidomos në rolin e Donit dhe ekipit të Atalantës në të.

“Bastet e paligjshme, me bazë edhe në Shqipëri”

Në Itali vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e skandalit më të fundit të basteve të paligjshme në futboll, ku 17 persona përfunduan në pranga, mes të cilëve edhe ish-lojtarë të njohur të botës së futbollit, madje që kanë luajtur edhe për kombëtaren axurre, sic është Cristiano Doni. Skandali, i cilësuar si më i rëndi në futbollin italian, që pas shembjes së Calciopoli-t, po trondit strukturat drejtuese të të gjitha kategorive profesioniste në Itali dhe gjatë hetimeve përmendet edhe Shqipëria, si vend bazë e një filiali të organizatës së fuqishme aziatike të trukimit të ndeshjeve.

Dyshohet se bosi i rrjetit të paligjshëm të basteve sportive është një aziatik i quajtur Ten Set Eng. Ai ka shtrirë rrjetin e tij të basteve të paligjshme në të gjithë Europën Lindore, me filiale të organizatës në Sllovaki madje edhe në Shqipëri. Emri i Ten Sen Eng, lindur në Singapor, ka dalë për herë të parë në publik si kreu i organizatës së paligjshme të basteve në Finlandë, kur autoritetet vendase arrestuan e më pas dënuan me dy vjet burg një shtetas nga Singapori. Mësohet se në dëshminë e tij, shtetasi nga Singapori ka treguar detaje në lidhje me organizatën e udhëhequr nga Ten Sen Eng, shtrirjen e saj dhe mënyrën e vendosjes së basteve.

Ai thotë në dëshminë e tij, se organizata dërgonte përfaqësuesit e saj pranë futbollistëve dhe presidentëve të klubeve të cilëve u kërkonin fiksimin e ndeshjeve në këmbim të shumave të mëdha të parave. Shtrirja e organizatës, thuhet më tej në dëshmi, ishte në Azi, Europë dhe në Amerikën Latine, me dy kryeqendra, Argjentinë dhe Bolivi. Ndërsa për Europën, sipas dëshmisë, dy ishin bazat, njëra në Sllovaki dhe tjetra në Shqipëri.

Nuk publikohen më shumë detaje të dëshmisë apo përcaktime më të hollësishme në lidhje me filialin shqiptar të organizatës së Ten Sen Eng, apo nëse ky filial drejtohej nga një shtetas shqiptar apo një tjetër i huaj i përcaktuar nga “bosi aziatik i basteve”.

Lidhur me skandalin ka reaguar edhe federata italiane e futbollit. Presidenti i saj, Abete, tha për mediat se bëhet fjalë për një fenomen mbarëbotëror, që nuk ka prekur vetëm futbollin italian. Lufta ndaj këtij fenomeni, tha ai, mbetet prioritet i federatës italiane të futbollit dhe atyre ndërkombëtare, përfshirë këtu UEFA-n e FIFA-n. Prokurori që po merret me cështjen në fjalë, Palazzi dhe grupi hetimor, pas prangosjes së 17 personave, po mundohen të gjejnë nëse në skandal ka përsona të tjerë të përfshirë.

Itali, 17 të arrestuar për trukim ndeshjesh

Mëngjesin e së hënës ka ardhur një tjetër goditje ndaj korrupsionit në futbollin italian. 17 persona janë arrestuar dhe gjenden në paraburgim, të akuzuar për mashtrim sportiv. Policia italiane mendon se kupola e trukimeve të ndeshjeve është në Singapor, ndërsa qendra e operacioneve ndodhet në Europën Lindore.

Sipas ‘Gazzetta dello Sport’, një nga të arrestuarit është edhe futbollisti i njohur Cristiano Doni, ish-kapiten i Atalantës. Ish-mesfushori aktualisht është i pezulluar nga drejtësia sportive, i akuzuar për trukimin e të paktën tre ndeshjeve të Serisë B në sezonin e kaluar.

Operacioni policor ka nisur në Kremona dhe arrestimet janë kryer në 10 qytete të ndryshme italiane. Mes të arrestuarve ka edhe të tjerë futbollistë dhe ish-futbollistë si Carlo Gervasoni (Piacenza, aktualisht i pezulluar), Filippo Carobbio (Spezia), Zamperini dhe Luigi Sartor (ish-lojtar i Parmës, Vicenzës, Interit dhe Romës) dhe Marco Paolini (Benevento, i pezulluar).