e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Siti shpallet kampion ne 'frymen e fundit'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Siti shpallet kampion ne 'frymen e fundit'
Nëse dikujt nuk i ra ndonjë infarkt nga finalja e Premier Ligës, ka qenë me shumë fat. Sepse titulli në Angli nuk vendoset vetëm në javën e fundit, por në sekondat e kohës shtesë. Goli i Agueros në minutën e 94-t i dhuroi fitoren 3-2 Sitit me QPR-në dhe titullin e parë kampion që prej vitit 1968. E kot fitorja e Junajtid, sepse golavarazhi +8 në favor të “qytetarëve” i la Fergusonit shijen më të hidhur në karrierën e tij 25-vjeçare në “Old Trafford”. Ishte hera e parë që një titull vendoset në minutat shtesë. Shumica e atyre tifozëve që kishin mbushur “Etihad”, as që kanë qenë gjallë 13 majin e 44 viteve më parë, kur hiti i momentit ishte “What a wonderful life” i Luis Armstrong dhe kryeministër laburisti Harold Uillson. U desh gati një gjysmë shekulli për të rilindur. U desh një italian në stol që komshinjtë e urryer të mos i quajnë më milionerët e zhurmshëm.

Dy ndeshje në një - Përmes radios dhe internetit, dy tifozeritë e Mançesterit i ndjekin të dyja ndeshjet njëkohësisht. Madje interesohen edhe për një të tretë, sepse varen shumë dhe si do shkojnë gjërat në Stok-Bolton. Kjo e fundit lufton me QPR-në për t’i shpëtuar rënies. Stoku kalon i pari përpara (minuta e 13-të), çka do të thotë se QPR-ja edhe mund të humbasë ndaj Sitit dhe të shpëtojë. Por, në minutën e 20-të, nga Sandërlendi vjen goli i parë. Runi ka shënuar. Dhe në këtë pikë Junajtid është kampion për të 20-ën herë. Në “Etihad” vjen lajmi i hidhur. Luhet vetëm në gjysmëfushën e QPR-së, e gjitha në mbrojtje. Presioni në këmbët e “qytetarëve” është i papërballueshëm, ndërsa nuk e shqetësojnë thuajse fare portierin Keni. Derisa në minutën e 40-të, pas një pasimi të Turesë, i cili dëmtohet dhe zëvendësohet nga De Jong, Zabaleta shënon për Sitin; Një gjuajtje që i shpëton nga duart portierit të QPR-së dhe përfundon në rrjetë. Tani është Siti për të tretën herë kampion. Thuajse në të njëjtin moment kur Boltoni barazon dhe gjen avantazhin në shtesën e pjesës së parë. Në dhomat e zhveshjes shkon Siti kampion. Të besuarit e Mark Hjuxhsit janë në Championship, ndërsa Boltoni shpëton.

Përmbysja - Rifillon loja dhe londinezët duhet të ndërrojnë taktikë. Janë të detyruar të sulmojnë dhe rrezikojnë gjithçka për të shpëtuar. Rasti i parë është i Sitit, me Agueron që shpërdoron një rast nga jashtë zone. Por në të 48-ën barazon QPR-ja, edhe në këtë rast për një gafë të Leskotit që i dhuron Cisesë një asist. Bie heshtja në Mançester dhe rritet nervozizmi. Nëse Baloteli nuk është ende në fushë, çmenduritë pritini nga Barton. Sulmuesi godet Tevezin dhe QPR-ja mbetet me 10 vetë. Siti vendos këmbën në gaz. Në minutën e 63- të Agueros i mohohet goli nga portieri në vijën fatale, por 3 minuta më vonë, ndëshkojnë miqtë pas një kundërsulmi në të majtë. Traore harkon në zonë dhe Meki me kokë mposht Hartin. 1-2 për QPR-në, dhe për “qytetarët” ndeshja nis të shndërrohet në një makth. Idiotësia që u kishte uruar Fergi të bënin duket se po ndodh vërtet. Tifozët e Sitit mbyten në lot. Milionerët nuk kanë humbur asnjë ndeshje në shtëpi gjithë sezonin dhe janë pranë disfatës në takimin më të rëndësishëm të jetës së tyre. Tani duhet të shënojnë 2 herë në 20 minuta për t’u shpallur kampionë.

Hyn Xheko për Berrin dhe Baloteli për Tevez. Artileria është e gjitha në fushë. Ndërkohë, Junajtid godet dy shtylla të tjera dhe humbet raste pafund. Gjithsesi, 1-0 i shpall sërish kampionë. Mbrojtja e QPR-së me 10 vetë është një bunker. Balotelit i mohohet një gol i sigurt me kokë nga portieri në minutën e 90-të. Vjen shtesa dhe goditje këndi për Sitin. Xheko harrohet në qendër dhe 2-2, por titulli është ende i “djajve”. Mbaroi? Ende jo. Aguero merr një top në hyrje të zonës, driblon dhe me një gjuajtje fantastike, shënon golin e tretë për të zotët e shtëpisë. Makthi përfundon në një ëndërr të përmbushur pas 44 vitesh. Dhe, për herë të dytë në histori pas Ançelotit me Çelsin, një tjetër italian fiton Premier Ligën. E nëse një skenar të tillë do ta kishte shkruar dhe një regjisor Hollivudi, do të quhej më shumë se i ekzagjeruar. Por jo për Premier Ligën…

LIBRI I ARTË

1947 Liverpul
1948 Arsenal
1949 Portsmuth
1950 Portsmuth
1951 Totenhem
1952 Man.Junajtid
1953 Arsenal
1954 U’Hempton
1955 Çelsi
1956 Man.Junajtid
1957 Man.Junajtid
1958 U’Hemtpon
1959 U’Hemtpon
1960 Bërnlej
1961 Totenhem
1962 Ipsuiç
1963 Everton
1964 Liverpul
1965 Man.Junajtid
1966 Liverpul
1967 Man.Junajtid
1968 Man.Siti
1969 Lids
1970 Everton
1971 Arsenal
1972 Derbi Kaunti
1973 Liverpul
1974 Lids
1975 Derbi Kaunti
1976 Liverpul
1977 Liverpul
1978 Notingem Forest
1979 Liverpul
1980 Liverpul
1981 Aston Vila
1982 Liverpul
1983 Liverpul
1984 Liverpul
1985 Everton
1986 Liverpul
1987 Everton
1988 Liverpul
1989 Arsenal
1990 Liverpul
1991 Arsenal
1992 Lids
1993 Man.Junajtid
1994 Man.Junajtid
1995 Blekbërn
1996 Man.Junajtid
1997 Man.Junajtid
1998 Arsenal
1999 Man.Junajtid
2000 Man.Junajtid
2001 Man.Junajtid
2002 Arsenal
2003 Man.Junajtid
2004 Arsenal
2005 Çelsi
2006 Çelsi
2007 Man.Junajtid
2008 Man.Junajtid
2009 Man.Junajtid
2010 Çelsi
2011 Man.Junajtid
2012 MAN.SITI