Siti kampion i Anglise, Liverpuli s'ia del dot
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ka mbetur edhe një rreze dielli kur arbitri Atkinson sinjalizon fundin e ndeshjes Mançester Siti-Uest Hem, dhe një lumë njerëzish vërshojnë në tapetin e “Etihad”: Skuadra e Manuel Pelegrinit ka fituar 2-0 dhe është kampione e Anglisë. Është trofeu i 5-të i epokës Mansur, ndërsa suksesi në Premier Ligë i sezonit 2013/ 14 i shtohet atyre të “FA Cup” më 2011-ën, kampionatit 2011/12, Superkupës së Anglisë më 2012 dhe Kupës së Ligës fituar më 2 mars në “Uembli”. Rezultati 2-0 është totalisht anglez në formë dhe përmbajtje. Nasri çliron çdo frikë në minutën e 39-të me një goditje nga 20 metra, ndërsa Liverpuli ishte duke u mundur në “Anfield” nga Njukasëlli me një autogol të Skrtelit. Kompani, kapiteni, me një kthesë si të ishte një bomber i vërtetë firmos 2-0 përfundimtare në fillim të pjesës së dytë. Përmbajtja qëndron në luftën deri në sekondën e fundit, me Agueron dhe Noblen që përdorin goditje të ndaluara në kohën shtesë, edhe pse gjithçka ishte vendosur.
Festa - Siti kërkon me çdo kusht dhe golin e 3-të për të barazuar rekordin e Çelsit të Ançelotit (103 gola në 2009/ 10), por goditjet e Agueros, i rikthyer pas dëmtimit të 5-të sezonal, gjuajtja e Milnerit dhe mrekullia e Adrian ndaj Nasrisë, i mohojnë ushtrisë së Pelegrinit prezencën në librin e rekordeve. Por festa është e gëzueshme. Tifozët pushtojnë fushën, pastaj ulen sërish në vendet e tyre për të parë ceremoninë e ngritjes së trofeut, mes muzikës sipas traditës më të mirë angleze: nga Bitëllsat deri tek dyshja nostalgjike Sajmon dhe Garfunkel.
Hakmarrja e Pelegrinit - Fitoi sigurisht skuadra më e fortë, me sulmin më të mirë dhe trajnerin 60-vjeçar, i cili më në fund arriti të fitojë një titull në Europë pas atyre në Ekuador dhe Argjentinë. Inxhinierit kilian iu deshën dekada për të arritur suksesin më të madh të karrierës dhe harruar hidhërimin te Reali, ku pavarësisht vendit të dytë dhe 102 golave në sezonin 2009/10, u pushua për t’i lënë vendin Murinjos. Fati e deshi që ata të përballeshin me njëri-tjetrin në Premier Ligë dhe këtë herë fitoi Pelegrini, favorit natyrisht ashtu siç shprehej portugezi, sepse kishte skuadrën më të fortë dhe të kompletuar.
Protagonistët - Simbol në fushë i këtij suksesi është Jaja Ture. Jo rastësisht i duartrokitur nga populli i Sitit: 24 gola, 20 prej të cilëve në kampionat. Në radhë pas afrikanit, argjentinasi Aguero, bomberi absolut me 28 gola, boshnjaku Xheko deciziv në pranverë, francezi Nasri, i cili bëri sezonin e tij më të qëndrueshëm në Mançester, spanjolli Silva, truri i skuadrës me talentin e tij, argjentinasi tjetër Zabaleta, lider në mbrojtje bashkë me kapitenin Kompani. Siti ishte skuadra më kompakte, edhe pse humbi ndeshjet me Çelsin dhe Liverpulin, takimi që u duk sikur u fundosi çdo shpresë. E ardhmja flet me emrin e tyre, edhe pse gjoba për thyerjen e “fair-play”-t financiar mund të vërë në dyshim shumë gjëra. Tani është momenti për të festuar dhe “qytetarët” me të drejtë duan ta shijojnë deri në fund.
Champions-i - Duartrokitjet për skuadrën që bëri tifoz të gjithë sportdashësit neutralë shkojnë për ta. Një sezon kampionësh me 101 gola, 16 fitore nga 19 në “Anfield”, 84 pikë, por titulli i 19-të nuk pas 24 vitesh nuk erdhi në Liverpul. Ëndrrën e zbehu rrëshqitja me Çelsin, ndërsa u shkatërrua përfundimisht të hënën e shkuar në “Selhurst Park”. Njukasëllin e përmbysën në pjesën e dytë, por mrekullia e Uest Hemit nga “Etihadi” nuk u erdhi nga bokset e “Anfield”. Përmbysje edhe për Çelsin e Murinjos që e mbyll sezonin me një fitore në Uells. Kardifin e mundin për 3 minuta Shyrrle dhe Torres. Sot Murinjo do të japë llogari te shefat për një sezon pa trofe. E mbyll me festë edhe Arsenali. Ramsej dhe Xhenkinson mbajnë lart moralin e “topçinjve” për t’i dhënë fund 10 viteve pa trofe në finalen e “FA Cup” kundër Hullit. Totenhemi mundi Aston Vilën, duke hipotekuar vendin e fundit që të dërgon në Ligën e Europës, duke lënë në vend të 7-të Mançester Junajtid, ish-kampionen e Anglisë. Noruiçi iu bashkua Fulhamit dhe Kardifit në Championship, në verdiktin e fundit që dha sezoni më spektakolar i viteve të fundit.