e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bajerni kampion mes rekordeve dhe birres

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bajerni kampion mes rekordeve dhe birres

Bajerni i Mynihut rikonfirmohet “mbreti” i Gjermanisë. Rekordmenët gjermanë e mbyllën sezonin me fitoren minimale 1-0 ndaj Shtutgartit në stadiumin “Alianc-Arena”, duke iu falur golit të vetëm në fund të ndeshjes të bomberit peruan, Klaudio Pizarro. Kurse kapiteni Filip Lahm në orën 17:43, saktësisht 364 ditë pas ceremonisë së vjetshme, ngre trofeun në kupën e qiellit, duke festuar me të madhe titullin e 24-t kampion para 71 mijë tifozëve të pranishëm në tempullin e Bavarisë. Me fitoren e 15-të brenda fushe dhe 29-ën sezonal, Bajerni i Guardiolës e mbyll sezonin me 90 pikë dhe një golavarazh +71 gola. Gjithashtu, lë pas me 19 pikë vendin e dytë, Borusian e Dortmundit.


Pep, dush me birra nga Boateng Bajerni i Mynihut inauguron fanellat e reja të sezonit në ndeshjet brenda fushe, të cilat bëhen qull pas dushit me birra. “Jam tullac dhe nuk do ta kem problem. E mirëpres dushin!”, – pati thënë Guardiola para ndeshjes. Dhe, në fakt, ashtu ndodhi. Pep Guardiola bën dushin e parë me birra. Mirëpo, cili ishte njeriu i parë? Ai ishte qendërmbrojtësi Zherom Boateng. Ndryshe nga Hejnkesi, Pep nuk vrapon. Ai i del përpara duke hapur krahët dhe Boateng teksa mbante në dorë gotën e madhe të Paulanerit ia lëshon në fytyrë Guardiolës. Mjaftoi kjo që Pep të “dashurohej” si me birrën, traditën dhe festën gjermane. Teksa ishte bërë qull, ai ngre titullin e parë kampion dhe më pas ishte Van Bujten që i vërshon një tjetër gotë me birrë. Gëzim, humor dhe festë pa fund. Më pas bavarezët marshuan drejt “Marienplatz”, ku ngritën edhe një herë titullin në ballkonin e Bashkisë së Mynihut, duke respektuar traditën. Deri tani ishtrajneri Van Gal është cilësuar si tekniku më i çmendur i festave, por do të presim mënyrën sesi do ta vlerësojnë lojtarët dhe mediat stilin e spanjollit.


Rekordet Nëse flasim për titullin e 24- t, atëherë nuk ka shanse të mos shoqërohet nga rekorde. Teksa u shpallën kampionë në kohë rekord, Bajerni i Guardiolës theu edhe disa rekorde të tjera si më poshtë:


- Sezonin e kaluar Bajerni festoi titullin në javën e 28-të, ndërsa sivjet e theu atë rekord, duke fituar titullin më 25 mars në javën e 27-të.
- Me 29 fitore e mbylli sezonin, duke barazuar rekordin e vjetshëm. Mirëpo, 15 prej tyre i fitoi në fazën e parë si asnjë herë tjetër. Gjithashtu është ekipi i parë që e mbylli fazën e parë me pikët më të shumta: 47 pikë.
- Rekordin e pathyeshmërisë Bajerni e çoi deri në serinë 53 (46 fitore dhe 7 barazime). Ata pësuan disfatën e parë prej 28 tetorit 2012 ndaj Leverkusenit (1-2), kurse të fundit ndaj Augsburgut (0-1).
- Pas 33 transfertave pa humbje (29 F, 4 B), bavarezët humbën për herë të parë që prej 11 prillit 2012 në Dortmund (0- 1), si dhe nuk shënojnë për herë të parë po në ndeshjen ndaj Augsburgut.
- Në 65 ndeshje radhazi Bajerni pati shënuar të paktën një gol për takim, kurse në 20 të fundit pati shënuar të paktën dy gola. Në Augsburg ndalet rekordi, pasi humbën 0-1.
- 34 formacione asnjëherë i njëjtë, por humb dy ndeshje dhe barazon tri, duke e mbyllur sezonin me 90 pikë.
- Bavarezët nuk humbën 28 ndeshjet e para. Me këtë rezultat ata barazuan rekordin e Dortmundit.
- Bajerni fitoi 10 transferta radhazi nga 2 nëntori 2013 deri më 25 mars 2014, por u thye tek e 11-ta.
- Në 24 ndeshjet e para të sezonit, Bajerni i Guardiolës arriti rezultatet më të larta në histori: 68 pikë; 72 gola të shënuar; +61 golavarazhi; 20 pikë më shumë se vendi i dytë.