e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Si finale ndaj Laçit, Vllaznia grumbullohet që në mesjavë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Si finale ndaj Laçit, Vllaznia grumbullohet që në mesjavë

Në Shkodër po e trajtojnë si finale Laçin. Ndeshja e së shtunës, e cila luhet në "Reshit Rusi", po përgatitet si vendimtare nga ana e Vllaznisë.vllaznia Kjo duket jo vetëm nga angazhimi në seancat stërvitore, por edhe grumbullimi tri ditë para. Lojtarët janë akomoduar në një prej hoteleve të qytetit të Shkodrës që dje, për të qenë sa më të qetë dhe të përqendruar për duelin që u rezervon java e 23-të.

Skuadra do të jetë në "regjim kazerme" deri në ditën e takimit, ndërsa ky vendim i drejtuesve vjen fill pas humbjes në Vlorë me Flamurtarin dhe në prag të një 90-minutëshi përcaktues për misionin "mbijetese". Është zgjedhur kjo mënyrë nga ana e stafit dhe krerëve të klubit që futbollistët shkodranë të jenë sa më të socializuar me njëri-tjetrin.

Kjo cilësohet si një formë efikase te Vllaznia për të bashkuar grupin dhe rrjedhimisht siguruar fitoren, që do kishte shumë vlerë. Objektivi - Një tjetër hap fals për ekipin do të ishte fatal. Në Shkodër të gjithë e kanë të qartë se përballë Laçit janë të dënuar për të fituar.

Avantazhi më i madh i kuqebluve para këtij dueli është pikërisht Armando Cungu, trajner që ka drejtuar kurbinasit dhe e ka ndërtuar vetë atë ekip. Tekniku e njeh mirë kundërshtarin dhe ky konsiderohet si një faktor plus për shkodranët, të cilët pritet që ta shfrytëzojnë për të marrë trepikëshin aq shumë të dëshiruar.

Lojtarët - Më në fund infermieria është boshatisur dhe rrjedhimisht stafi teknik është më i qetë. Duket se grupi do të jetë i plotë ndaj Laçit, duke shtuar alternativat për këtë takim delikat.

Në këtë mënyrë, lojtarë si Sefa, Shtubina apo Arbri kanë lënë pas krahëve shqetësimet shëndetësore të javëve të kaluara dhe pritet që të jenë të gatshëm për trajnerin Cungu. Cicmil rikthehet në mbrojtje pas pezullimit, duke shtuar sigurinë në qendër. I vetmi në dyshim për shkak të dëmtimit është mbrojtësi i majtë Antonio Marku.