e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shtypi norvegjez dhe lituanez : 'Shqiperia, kandidate reale per ne Brazil 2014'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shtypi norvegjez dhe lituanez : 'Shqiperia, kandidate reale per ne Brazil 2014'
Ishte vetëm një fitore e thellë e Shqipërisë në një ndeshje miqësore, por jehona e saj është ndier jashtë kufijve shqiptarë, më së shumti në Norvegji dhe në Lituani. Norvegjezët i kanë ende të hapura plagët e humbjes së pësuar në shtëpinë e tyre të premten e javës së kaluar. Për ta vazhdon të jetë e pabesueshme që pësuan një humbje në shtëpi përballë një skuadre modeste.

Por gjatë mbrëmjes së të martës së miqësores ndaj ndeshjes Shqipëri-Lituani mendjen e kanë pasur në “Qemal Stafa”, sepse duan që të marrin masat për ndeshjen e kthimit më 7 qershor në Tiranë. “Shqipëria nuk është surprizë, por kandidate reale për në Brazil”. Ky ishte titulli i të përditshmes norvegjeze “Aftenposten”. Për këtë gazetë, “fitorja 4-1 ndaj Lituanisë ishte një konfirmim se kjo skuadër, e konsideruar modeste deri një javë më parë, është përmirësuar ndjeshëm dhe do të jetë një rival i ashpër i Norvegjisë në luftën për vendin e dytë në grupin E të eliminatoreve të botërorit”.

Më pas “Aftenposten” thekson se “skuadra e trajnerit Egil Olsen duhet të nxjerrë mësime nga humbja në shtëpi dhe nga fitorja shqiptarëve ndaj Lituanisë për ndeshjen e kthimit”. Ndërkohë që shtypi lituanez (Lietuvos) e ka konsideruar shkatërrimtare humbjen në Shqipëri, duke theksuar se kuqezinjtë e De Biazit “triumfuan në këtë sfidë me shumë lehtësi, në një fushë që pas shiut rrebesh më shumë ishte si një ‘dush balte’”. Megjithatë, theksojnë se “nuk mund të quhet justifikim, pasi përballë kishin një Lituani të dobët, edhe për shkak të eksperimenteve fatale të trajnerit Laszlo”.