Shtubina: Fitojmë me çdo kusht
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Takimi i së shtunës Vllaznia-Kukësi që do të luhet në "Reshit Rusi" konsiderohet shumë i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të kuqebluve në kampionat dhe, për këtë arsye, duhet fituar patjetër.
Këtë mendim ka edhe kapiteni i skuadrës shkodrane, Ndriçim Shtubina.
"Kundërshtari që kemi përpara është i vështirë. Dihet forca dhe vlerat që ka treguar vitet e fundit në Superiore dhe në ndeshjen që do të luajë ndaj nesh do të kërkojë një fitore. Por, për një gjë të tillë jemi të përgatitur edhe ne dhe duhet të bëjmë kujdes.
Na duhet që të luajmë ndaj një rivali të tillë jo vetëm me forcë dhe shpirt, por edhe me mend, pasi vetëm kështu do të arrijmë të marrim maksimumin e pikëve", është shprehur Shtubina. Më pas, ai ka komentuar edhe faktin se Kukësi ka në përbërje dy lojtarë shkodranë.
"Kjo nuk na bën shumë përshtypje, pasi thuajse çdo jave kemi shkodranë përballë. Kukësi normalisht që vjen për tri pikë në këtë takim, por kjo nuk do të ndikojë fare te ne. Unë kam besim se Vllaznia do të fitojë. Ne do të kërkojmë që këtë fitore t'ia dedikojmë edhe Gurishtës. Edhe pasi kanë kaluar dy ditë nga ajo që ndodhi, nuk e kemi marrë veten pas asaj që ndodhi me shokun tonë të ekipit. Megjithatë, tani ai është më mirë dhe me një fitore ndaj Kukësit do të vijë më shpejt kurimi i tij", ka vazhduar kapiteni i kuqeblve. Gurishta pësoi një goditje në ndeshjen ndaj Laçit, e cila rezultoi mjaft e rëndë, pasi e kaloi lojtarin në koma.
Mbijetesa
Por, pavarësisht optimizmit, frika se Vllaznia mund të rrezikojë mbijetesën vazhdon të jetë konkrete në radhët e kuqebluve.
"Situata nuk është e këndshme për Vllazninë e Shkodrën. Duhet thënë se skuadra ka zhvilluar takime të mira, përjashto deri diku atë me Laçin, por kjo nuk duhet të na dekurajojë sa i takon vazhdimësisë. Normalisht që kur shohim renditjen kemi frikë.
Por unë kam besim se me forcën e skuadrës dhe me besim skuadra do arrijë të dalë nga kjo situatë. Por theksoj se duhet t'i marrim takimet me radhë dhe, në fund të sezonit, të mos jemi në një pozicion të diskutueshëm", u shpreh Shtubina.
Sulmi
Mungesa e sulmit duket se është tepër shqetësuese për kuqeblutë. Shkodranët po vuajnë këtë sezon në këtë drejtim dhe, për kapitenin, një fakt i tillë është mjaft shqetësues.
"Vllaznia po vuan në sulm dhe për një gjë të tillë më vjen vërtet keq. Megjithatë, edhe me një gol mund të fitohet një takim dhe ne shpresojmë që ta bëjmë një gjë të tillë. Ne jemi lojtarë krahësh që po punojmë shumë për të mbështetur sulmin, por nuk po e bëjmë një gjë të tillë siç duhet.
Ndërsa për formën time mund të them se në takimin me Laçin nuk ka qenë një ditë e mirë për mua. Asnjëherë nuk jam i kënaqur me veten, por besoj se në fushë po tregoj më të mirën", ka mbyllur Shtubina prononcimin e tij.
Përgatiti: ADMIR URUÇI