e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shtohet optimizmi te Naftëtari, Devolli sfidon Skënderbeun B

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shtohet optimizmi te Naftëtari, Devolli sfidon Skënderbeun B

Naftetari golNAFTËTARI Fitorja e fundit ndaj Bilisht Sportit në transfertë ka shtuar optimizmin në Kuçovë. Skuadra ka bindur në të gjitha drejtimet, pasi ka regjistruar një fitore të merituar, e cila është e treta radhazi në këtë kampionat. Me këtë ecuri, Naftëtari konfirmohet si pretendente kryesore për t'u ngjitur në Kategorinë e Parë. Sulmuesi Gëzim Hyska, i cili shënoi golin e sigurisë në ndeshjen e fundit, për gazetën thotë: "Pa dyshim, ecuria e deritanishme është bindëse. Jemi në rrugën e duhur drejt Kategorisë së Parë, pa ndihmën e ndeshjes shtesë. Gjithsesi, duhet të përqendrohemi për ndeshjet e ardhshme, ku shpresojmë që ta finalizojmë me sukses ngjitjen në të Parën", tha sulmuesi.

SKRAPARI Pas fitores së thellë në ndeshjen e fundit ndaj Himarës, objektivi i mbijetesës për skraparllinjtë duket më i sigurt. Algert Avdo, autori i dopietës, shprehet i kënaqur me këtë ecuri. "Mendoj se ishte një nga ndeshjet më të mira të Skraparit. Jam i kënaqur me paraqitjen time, por gjithsesi i rëndësishëm është fakti që skuadra regjistroi një fitore të thellë dhe duke dhuruar futboll të bukur. Kemi kontingjent plot kualitete, që do bëj gjithçka që skuadra të shmangë rënien nga kategorinë e tretë. Mendoj se pas fitores në ndeshjen e fundit, objektivi i mbijetesës është më se i realizueshëm, ndonëse duhet të përqendrohemi maksimalisht për të kaluar edhe Memaliajn".

GRAMSHI Pas barazimit në shtëpi për Albpetrolin, Gramshi këtë fundjavë do të udhëtojë drejt Luzit, me qëllimin e vetëm për të gjetur fitoren. Pavarësisht kalendarit të vështirë, gramshakët shfaqin bindjen se nuk do ta diskutojnë rënien. Trajneri Lleshanaku shprehet se skuadra e tij do t'ia dalë këtë javë, duke marrë pikët që do t'i jepnin dorë për mbijetesën: "Kemi të gjithë potencialin e duhur për t'i bërë ballë çdolloj sfide. Do bëjmë gjithçka mundemi që të qëndrojmë në Kategorinë e Dytë", u shpreh shkurtimisht për gazetën trajneri. Domosdoshmëria për pikë që kanë të dyja skuadrat e bën këtë duel interesant, ndaj pritet që në Luz të shohim një duel të luftuar.

BILISHT SPORTI Pas humbjes me shifrat 1-3 të pësuar kundër Naftëtarit, tashmë në Bilisht duan kthesën dhe blindimin e mesit të tabelës. Kundërshtari i radhës është Gramozi, një ndeshje e cila duhet fituar në çdo kusht, paçka se e lehtë nuk do të jetë. Duke qenë se fusha e kundërshtarëve është e dënuar pas ngjarjeve të ndodhura javë më parë, bilishtarët janë në pritje të mësojnë emrin e stadiumit. Kolonjarët kanë shumë interes për këtë duel, pasi pozitat që kanë në renditje i detyrojnë që të marrin pikët që mund t'i siguronin mbijetesën. Por, përtej qetësisë që ka Bilisht Sport, mësohet se ata do të futen në fushë me qëllimin e qartë për të dhënë dhe marrë gjithçka munden.

DEVOLLI Devolli e trajton si një finale ndeshjen e kësaj jave. Kundërshtar kanë pikërisht Skënderbeun B, përballje e cila do të luhet në stadiumin e kampionëve të vendit. Devollinjtë janë përgatitur intensivisht gjatë këtyre ditëve pasi kërkojnë që të marrin maksimumin ndaj ekipit B të korçarëve. Nën drejtimin e teknikut Kosta Skoti stërvitja është kryer me dy seanca në ditë, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë që po i japin këtij "derbi". Devolli synon që të kapë kreun e grupit, pavarësisht se të lehtë nuk do ta kenë. Megjithatë, askush nuk ka në plan të dorëzohet. Madje, këtë javë ekipi do të ketë në krah edhe tifozët, të cilët do ta mbështesin pa kushte ekipin e zemrës.