Cetkoviç: Ja pse dua Flamurtarin në finale
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Autori i golit të fitores për Laçin në ndeshjen e djeshme, Marko Cetkoviç, ka vlerësuar lojën e skuadrës së tij ndaj kampionëve. "Kemi bërë një lojë shumë të mirë në pjesën e parë duke krijuar rreth gjashtë raste të pastra për të shënuar.
Në pjesën e dytë kemi arritur të kalojmë në avantazh, por pas ndëshkimit të lojtarit tonë me karton të kuq u vumë në vështirësi, u mbrojtëm shumë", tha lojtari, i cili nuk i ka kursyer aspak elozhet për ish-sulmuesin e kurbinasve, Xhejms Adeniji, i cili tashmë luan për korçarët.
"Të luaja me Xhejmsin për një sezon ishte gjë shumë e mirë për mua, por tani është në anën tjetër. Mendoj se është sulmuesi më i mirë me të cilin kam luajtur më parë.
Megjithatë, e rëndesishme është që nuk ka shënuar sot (dje), pasi që kur u largua nga ekipi ai mbetet gjithmonë një kundërshtar", u shpreh Cetkoviç, i cili tashmë ka marrë rolin e sulmuesit të avancuar në skuadrën e tij.
Në rast kualifikimi të Laçit në finale, pasi mbetet edhe ndeshja e kthimit për t'u luajtur, Cetkoviç ka një preferencë: "Nuk do të doja që në finale të kishim Kukësin, pasi luan shumë në mbrojtje, ndërsa Flamurtari luan futboll të hapur si Skënderbeu. Kuksianët janë si ne, kanë lojtarë të fortë dhe mbrohen shumë", ka mbyllur mesfushori deklaratën për "SuperSport".