'Shqiperise do t'i jepen tri pike ne tavoline'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Delegati i UEFA-s, Eduard Prodani, beson se Shqipëria do ta fitojë në tavolinë ndeshjen e ndërprerë kundër Serbisë, ndërsa kësaj të fundit do t’i pezullohet fusha për shkak të trazirave në ndeshjen me Kombëtaren tonë.
Prodani, beson se Shqipëria do të marrë tre pikë në tavolinë, derisa Serbia do të dënohet rëndë.
Ai është aktualisht delegat i UEFA-s, por më shumë sesa kaq ka qenë sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, ndaj i njeh mirë rregulloret e organizmit të futbollit europian.
Bëhet fjalë për Eduard Prodanin, aktualisht drejtor i “Qemal Stafa”-s, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” jep versionin e tij në lidhje me vendimin që mund të merret nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA, më datë 23 tetor.
“Personalisht jam i mendimit që vendimet kryesore të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s do të jenë që ndeshja të na jepet “forfeit”, pra ta fitojmë ne në tavolinë 3-0 dhe Federata Serbe të dënohet që të paktën ndeshjet e mbetura të këtij kompeticioni t’i luajë pa spektatorë ose jashtë Serbisë”, deklaroi Prodani.