Droni nje bombe? Cana: Po sikur tifozet te kishin thike?
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana beson se ishte "një mrekulli" që asnjë nga lojtarët e ekipit të tij nuk u plagos rëndë në skenat e dhunshme të ndeshjes kualifikuese për Euro 2016, mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd.
Lojtarët e Shqipërisë u detyruan të largohen nga fusha, pasi disa tifozë shkelën rregullat e sigurisë dhe hynë në fushë. Duke folur për gazetën franceze “L'Equipe”, Cana, i cili u kap në kamera duke sulmuar tifozët në mbrojtje të lojtarëve të tij në fushë, beson se ka shpëtuar për mrekulli.
“Kjo është një mrekulli se kemi pasur vetëm gjashtë ose shtatë të plagosur me goditje në fytyrë dhe në qafë. Çfarë do të kishte ndodhur nëse në vend të një karrigeje, ajo të kishte qenë një thikë? Jetët tona ishin në rrezik”, tha Cana.
Me këtë pyetje Lorik Cana mundohet të ironizojë Michel Platini-në, i cili deklaroi se atë mbrëmje, droni që mbante flamurin mund të kishte pasur edhe një bombë.
UEFA ka akuzuar federatën serbe dhe shqiptare të futbollit dhe parashikon sanksione të rënda, pas përleshjes ku u përfshinë lojtarë, mbështetës dhe kujdestarë, që u nxitën nga një flamur që mbante simbole të “Shqipërisë së Madhe”.
Serbia u akuzua zyrtarisht nga UEFA për hedhjen e fishekzjarrëve, shqetësimin e turmës, një “organizim të keq" të tifozëve dhe përdorimit të një stilolapsi lazer, ndërsa Shqipëria u akuzua për "shfaqjen e një flamur të paligjshëm”.