e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shqiperia s'eshte aq e varfer sa te mos na mbaje

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqiperia s'eshte aq e varfer sa te mos na mbaje

Kampioni shqiptar i Evropës, Erkand Qerimaj, e ka të qartë rrugën e tij. Do synojë të marrë medalje olimpike, por edhe të ngrihet shpejt drejt titullit botëror në Kazakistan. Është ende në apogjeun e lavdërimeve, edhe pse pas i ka mbetur heshtja, që e shoqëroi kur kishte vërtetë nevojë për shpresë. Në këtë rrëfim, ai flet ‘jashtë’ sportit për sportin dhe jetën e vet. Djali nuk ka nevojë më për keqardhjet dhe shfajësimet e hipokritëve, por për ta shikuar në sy. Tepër realist, kërkon t’u tregojë të gjithëve sesa e vështirë është rruga drejt suksesit…

Erkand Qerimaj vendosi pak muaj më parë ta merrte vetë në dorë fatin e tij, kur çështja po gjykohej në Arbitrazhin Sportiv në Zvicër. I diplomuar në jurisprudencë, kampioni aktual i peshëngritjes, i duhej të përballej me një nga sfidat më të vështira të jetës, atë ligjore përballë një trupe të huaj gjykimi. Me shpenzimet e veta. Me përballjen e vet. Me sakrificat e veta.  
Dhe, ndërsa media e kish harruar dhe strukturat shqiptare të sportit, që në këtë rast ishin bajagi fajtore, as nuk i asistonin, ai arriti ta reduktonte vetë dënimin. Pa u tharë boja në verdiktin e dhënë përfundoi në vendin e tij të prehjes, në palestër, ku edhe kalon pjesën më të madhe të ditë-jetës. Erkand Qerimaj, më 8 Prill të këtij viti, në Evropianin e Peshëngritjes në Izrael meritoi medaljen e artë në peshën e vet. Rikthim i bukur, pas të themi zhgënjimit të madh për atë që ndodhi me dënimin për substancën e ndaluar, që ishte marrë gabimisht.
 
Sfida


Gjithsesi, Erkandi nuk di ta mbajë kokën pas. Mëndja e tij kërkon të ardhmen dhe sfidën e radhës, që deri më tani mbetet ende në sport. Sa për angazhimet e tjera harroji. Për ata që s’e kuptojnë: djali i sapodiplomuar, nuk ka një mundësi të atashohej në ndonjë studio ligjore ku të fillonte rrugëtimin, në profesionin që ka zgjedhur të juristit. Nuk të bën përshtypje, se sistemi ynë i drejtësisë është krejtësisht i korruptuar?-e pyesim. “Kur kam studiuar, më është dashur të lexoj literaturën sesi funksionin aparatet e ndryshme shtetërore, që nga sistemi romake e me radhë. Ajo që kam kuptuar është se ligjet shqiptare janë të mira, por nuk zbatohen si duhet. S’mund të jem prezent ende në profesion pasi shteti im s’më ndihmon të jem diku të ushtrohem. E jo vetëm që s’jam, por edhe nuk e di se kur do mund të jem”, thotë. Ndërkohë që, bashkëmoshatarët e vet dhe shumë njerëz vetëm e miklojnë, pa vlerësuar kurrë realisht mundimin e tij. Kjo psikozë breznore, që shtrihet dhe në breza të tjerë, jo vetëm nuk e kupton dot sakrificën e tij, që fillon nga stërvitja, mundimi për suksesin e lartë, por duket sikur e kufizon personalitetin e vet. “Shumë shikojnë vetëm fitoren, ndërkohë që s’e kuptojnë se për një rezultat ka shumë sakrificë. Qoftë psikologjike por edhe fizike. Të ndodh të kalosh deri në cfilitje, ku s’të merr dhe gjumi nga dhimbja, anipse mjedisi dhe media s’merren me këtë, por u intereson vetëm kulmi. Madje, paradoksalisht, edhe kur ke një disfatë nuk merren me këtë por thjesht me llojin e disfatës dhe thjesht sesi ndodhi...”!!! Ndalon pak dhe me sa duket në kokë i vinë në fraksion sekonde kohët e vështira dhe stërmundimi. Hesht. Fillon e të sqaron ngadalë: “Ngandonjëherë nuk arrij as të ambjentohem, pasi në momentin që ke nevojë për median s’ke askënd. Kurse ndodh që ke shumë ngarkesë, je para garës, të duhet të gjesh forcat e veç të sulen të gjithë. Njerëzit ndryshojnë kaq shumë”, përfundon. A mund të quhet pesimist. Është nga të paktat fjalë, që nuk njihet prej tij.

Ndoshta religjioni e bën të kontrollojë me kujdes emocionin dhe ta shprehë saktë, atë që kërkon. Këtu, mbase duhet kërkuar suksesi tek djali i ri, që e administron suksesin dhe emocionin gati në mënyrë perfekte. “Kam dalë që 14 vjeç kampion dhe jam i mësuar me suksesin, aman kur më ndodhi pezullimi, arrita të kuptoj edhe shumë më tepër akoma.  Zoti nuk të jep gjëra që nuk i përballon! Mu këto momente, të tregohet destini të shfaqësh realisht forcën. Për fat, më ka ndodhur, që pranë kam pasur gjithnjë të njëjtit njerëz, që më kanë ndihur deri më tani”. Është e vërtetë se kur arrin suksesin, djalin e rrethojnë pafund dashamirë, lajkatarë dhe soditës. Në momentet e vështira, ata që rrinë me të, janë fare të pakët. Të njëjtët. Si gjithnjë, mbetet trajneri i kampionëve të Botës, Zef Kovaçi dhe prindërit. Këta të fundit, gati për një sakrificë maksimale, që djali të mos e ndjejë boshllëkun që vjen shpesh nga mostrajtimi në kohën e duhur me pjesën financiare, apo edhe si psikologët e parë të tij, t’i rrëfejnë sesi duhet të përballet. Për fat, z. Kovaçi, nuk është më vetëm njeriu që i shërben me këshillat tekniko-taktike, por me kulturën e vet, e ndihmon të depërtojë edhe në fusha të tjera. Ndikimi i tij duket direkt në formimin e djalit, që tash mban dy diploma. Vetë djali rrëfen se në jetën e zakonshme, shpërblimi më i madh, pa asnjë dyshim, ka mbetur dhe kontakti me njerëzit e thjeshtë. Nderimi i tyre. Besimi pakufi dhe pakushte i tyre.
 
Zhgënjimi


Edhe në kohën kur u dënua dhe iu mor medalja, ata pak njerëz të tij ishin fare afër. “Ajo ka qenë një situatë e vështirë. Ju mund të kujtoni, porse kurrë s’mund ta kuptoni dot. Kur më erdhi lajmi i pezullimit, më ra krejt i papritur. Na jep një shembull përdorimi droge. Unë i kisha deklaruar vetë vitaminat e përdorura. Duheshin të tjerë të më sinjalizonin. Ndaj hapa vetë seancën gjyqësore. Ishte moment i vështirë, pasi kur nuk e bën me dashje një gjë është shumë më e rëndë sesa kur je i vetëdijshëm që ke e bërë dhe e ke marr përsipër rrezikun dhe përfitimin. E sikur të mos mjaftonte kjo, shumë njerëz më thoshin: Ah. ke pirë drogë! Se kuptonte askush se çfarë po kaloja. Shikonin vetëm fasadën e medias. Jam munduar të buzëqesh dhe u jam gjegjur: Po kam pirë! S’u thosha dot që ika dhe e fitova gjyqin. E gjitha për fat, m’u kthye në forcë të bëja më shumë stërvitje dhe gjithçka ta kaloja atje”. Pak javë para fitores në Izrael, një kontroll i befasishëm i erdhi djalit në Tiranë, për t’i bërë testet e dopingut nga Federata Ndërkombëtare. Lajmi që djali doli i pastër nuk u trajtua asfare, pasi Shqipëria e mbytur me lajme politike dhe të kronikës së zezë nuk mund t’i dilte koha ta trajtonte këtë lajm. Je tunduar ndonjëherë të ikësh?-pyetet befas. Djali të shikon përballë, sikur do të thotë nëse do të isha tunduar, tashmë nuk do flisnim kurrë bashkë. Na tregon se është rritur në një familje, ku elementi patriotik, edhe pse quhet sot demode, ka qenë ndikues. Për më tepër, kur e sheh impaktin e fitores që 14 vjeç arrin dhe e ngre flamurin shqiptar, është disi i vështirë ndryshimi. “Në fakt kemi rastin e Januzajt dhe të tjerë që kanë lindur jashtë e që e kanë lehtë të zgjedhin përfaqësueset e tjera, por Shqipëria, që është në zemrën time, s’është aq e varfër sa të mos mundohet të na mbajë neve që e kemi ngritur flamurin e saj. Do vijë një ditë, apo ndonjë drejtues më largpamës, që do na vlerësojë si duhet. Kjo mbetet shpresa. Më mirë të marr gjysmën e atyre që më premtohen jashtë dhe të mbetem këtu. Kemi parë sportistë që kanë çuar flamurë të tjerë dhe kanë bërë para, por kur shoh jetën e tyre nuk e shoh kurrë atë gëzim, që e ndjen në këtë vend prej vlerësimit”. Një moment të përmend edhe rastin e vëllezërve të vet, emigrantë: Nuk do jesh kurrë si në vendin tënd!
 
Me çfarë ushqehet shpirtërisht…


Momentet e vështira, që trajtohen në bisedë, kalojnë. Me çfarë ushqehesh në përgjithësi, e pyesim. Përgjigja është me një shenjë koke. Zef Kovaçi, nga i cili bëhet shenja, del se është veç një trajner i mirë edhe një autoritet i këndshëm sa i përket sugjerimeve. Për ata që s’e dinë: prej këtij njeriu, Greqia ka kampionët e mëdhenj të peshëngritjes, ish sportistët e tij si Dhima, Shabani etj. Këta të fundit jo vetëm nuk e harruan, por kurdo u bënë strehë në vite edhe për peshëngritësit shqiptarë. Kjo është meritë e këtij njeriu me shpirt vërtetë të madh. Zefi ka ditur që këshillave të mirëfilli sportive, me taktin e vet, t’i shtojë ato të leximeve, por edhe të arteve të tjera. Ndaj, jo më kot, sportistët e Zefit janë veç të pasionuar edhe të shkolluar. Erkandi pëlqen shumë librat historikë, por edhe kinematografinë, ku kuptohet se fabulat që kanë brenda përpjekjen, garimin dhe dramën drejt fitores me personazhet heroikë të jetës, e ngacmojnë më shumë. “Që i vogël i shikoja filmat e tillë vizatimorë që ushqenin të mirën dhe përpjekjen dhe ato më bënin të isha jo vetëm më i motivuar në stërvitje, sqaron djali, por edhe më i kënaqur me çka bëja. Kjo e bën ndoshta sot, që muzika të jetë një shoqëruese e mirë në momentet e vështira. “Në këtë mënyrë ushqej trurin, pasi ai e komandon trupin. Dhe, po u dëmtova nga ana psikologjike dhe nuk lirohem në kohën e duhur, kurrë s’do jem mirë dhe nga ana fizike…”.
 
Stërvitja


E lemë për në fund këtë pyetje, sepse në këtë, ai është edhe më shumë i fokusuar. Erkandi stërvitet në një palestër, pranë “Qemal Stafës”, që mund të thuhet se është diçka më mirë se në vitet më parë, por në një vlerësim nga një deri në dhjetë, ai nuk nguron ta fiksojë vlerësimin mes 4 dhe 5-s. Neve na kanë falur talentet dhe kushtet e vështira, të tjerëve, anasjelltas. I ka qëlluar të stërvitet realisht dhe me qiri dhe pa ngrohje. Shpesh. Nuk i druhet konkurrencës, por edhe shpesh dashakeqëve që mundohen t’i fusin ndonjëherë xixa dhe në stërvitje. Por, kjo është në çdo fushë, dhe këtu duket forca e tij shpirtërore, që mundohet t’i kthejë të gjitha impulset në ngacmime pozitive, sepse tek ky njeri s’ka vend për impulse negative. Në komunitetin e peshëngritjes, si në çdo komunitet, ka smirë, shumë konkurrencë, por më shumë se kaq mundim. Të gjithë këtë energji, ky njeri e kthen natyrshëm në energji pozitive dhe e jeton me luftë sakrificën. Është produkt i punës apo talentit? “Është një gjë shumë komplekse. Por, fillimisht i jam mirënjohës Zotit që më dha këtë talent, familjes, trajnerit tim dhe disa njerëzve që më rrinë shpesh afër. Që të arrish gjërat, s’mjafton vetëm talenti por edhe puna, fati dhe ndihma e Zotit. Këto i ndijnë motivet, që ushqejnë edhe atë që ruaj në mendjen time”, shprehet. Erkandi përgatitet në mënyrë specifike për garën, por si shton me një sens humori, që i ngre krye instinktivisht në bisedë, nuk do ta tregojë. “Kam adrenalinë. Kam emocion dhe në stërvitje, por adrenalinën e shfrytëzoj për mirë. Sa më konkurrencë dhe vështirësi të kem, aq më ngutëse është për mua, shton. Dhe, sa për emocionin, është një ndjenjë e madhe. Ndodh, që ka dhe gara të cilat s’shkojnë mirë por di në fund t’i kthej pozitivisht”. E di të jetë i sinqertë deri në fund. Nëse s’ke frikë atëherë çfarë kuptimi do ketë e gjitha, sqaron.
 
Politika dhe miklimi


I gjithë ky korpus ndjenjash, pune, sakrifice dhe emocioni do të ishte një mrekulli nëse do të përdorej ashtu si duhej deri në fund. Që do të thotë se institucionet do e merrnin dhe ai, e të tjerë si ai, të mund të ndante dhe të jepte si duhet eksperiencën e vet. “Ndodh që njerëzit më shumë e flasin sesa duan ta ndijnë punën. Kanë shumë që duan ta dëgjojnë vetëm veten, kur flasin. Kjo të pengon të japësh si duhet eksperiencën. Të paktët që më dëgjojnë, kanë nivel dhe më vjen mirë se ata duan të dinë, por kjo ndodh vetëm pak me moshatarët”. Jo më pak kanë qenë politikanët që kanë dashur t’i tregojnë se do t’i ndihmojnë e fjalë të tjera. Djali, që e njeh mirë tani strukturën e sportit, shprehet shkurt: I kam thënë deri kryeministrit të dikurshëm se duhet një ligj ndryshe sporti dhe i kam kërkuar të kujdesen realisht, jo me fjalë. Të njëjtën gjë në ditët tona, e ka përsëritur para politikanëve të shumë që e pritën, por asgjë. Së fundmi, ka propozuar që mbase do jetë mirë që të mbledhin disa figura nga arti e sporti dhe t’i përçojnë në shkolla dhe për rininë, në mënyrë ku të tregohen modele për rininë shqiptare. E di se kjo është disi e pamundur. Shumë kanë në kokë modelin e politikanit që arrin shpejt dhe shkurt gjithçka, pa kuptuar sesa e vështirë është…E megjithatë e ka sërish një dozë optimizmi: Mendon se do të lëvizë diçka pasi Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri, i kanë por deri më tani, është ende impakti i fjalëve të mëdha.


Kalojnë shumë kohë pa e kuptuar në bisedë, ndërkohë që Erkandit, i duhet të kthehet në stërvitje. Për pak javë zhvillohet Kampionati Botëror në Kazakistan dhe tashmë sfida është para për të. Edhe më titanike është puna e tij që fillon prej kontrollit rutinor të substancave dhe vitaminave që nuk lejohen më dhe stërvitjes. Atë që duhej ta bënte një staf i tërë, që në fakt nuk ekziston. Ata janë thjesht dy, ai dhe trajneri i vetëm para një mali sfide. Ku mali quhet medalja e parë olimpike për Shqipërinë. E vështirë, por ashtu si i pëlqen Erkandit të përsërisë: asnjëherë s’është e pamundur. Dhe, ai ka treguar se barrierat janë për t’u kaluar.