Shqipëria, provë gjenerale para Zvicrës, miqësore me Ukrainën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqipëria do të zhvillojë një test real përpara ndeshjes së parë në Europian. Më 3 qershor, kuqezinjtë do të luajnë një ndeshje miqësore me Ukrainën.
Edhe pse nuk është zyrtarizuar ende asgjë në faqen e Federatës Shqiptare të Futbollit, burime zyrtare pranë këtij institucioni kanë konfirmuar diçka të tillë për "Panorama Sport".
Kjo ndeshje është programuar që të zhvillohet 3 ditë përpara se skuadrat të drejtohen drejt Francës për nisjen e Europianit.
Më datë 6 të muajit qershor, Shqipëria pritet që të udhëtojë drejt Francës për t'u akomoduar në hotelin e përcaktuar ku do të qëndrojnë kuqezinjtë gjatë zhvillimit të kompeticionit.
Ukraina do të jetë një test real përpara ndeshjes me Zvicrën, duke qenë se ajo është një nga skuadrat pjesëmarrëse në Europian. Ukraina është pjesë e grupit C dhe do të ketë në grup kampionen e botës në fuqi, Gjermania, Irlandën e Veriut dhe Poloninë.
Ndeshja e radhës për skuadrën e drejtuar nga Xhani De Biazi do të jetë miqësorja me Katarin më 29 maj. Përballja me Ukrainën do të jetë testi i fundit në të cilin trajneri i kuqezinjve do të bëjë kolaudimet e fundit përpara se Shqipëria të përballet me Zvicrën më 11 qershor, në orën 15:00, në Lens.
Ndeshja miqësore me skuadrën e drejtuar nga Mikailo Fomenko pritet që të zhvillohet në qytetin e Bergamos në Itali, në stadiumin "Atleti Azzurri Italia", që më parë njihej me emrin "Mario Bruma". Një impiant i ndërtuar në vitin 1928 dhe me një kapacitet prej 26 562 vendesh.