Shqipëria, pakt me Serbinë për votën në FIFA
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqipëria mendon njësoj si Serbia në garën për kreun e FIFA-s. Pak ditë para zgjedhjeve, gjiganti mediatik "Eurosport" hedh dritë mbi prapaskenat mes federatave të futbollit në mbështetjen e kandidatëve.
Më 26 shkurt në Zyrih do të vendoset për kreun e qeverisë së re të futbollit botëror, teksa emrat më të favorizuar janë avokati me origjinë italiane, Xhani Infantino, sheiku i Bahreinit, Salman Bin Ibrahim Al-Khalifa dhe princi i Jordanisë, Ali Bin Husein.
Pas skandalit të korrupsionit që u zbulua disa muaj më parë në FIFA, ishpresidenti Jozef Blater u pezullua bashkë me disa zyrtarë të tjerë të lartë të organizatës.
Sipas "Eurosport", kandidatët kanë filluar fushatën e tyre, duke lobuar pranë organizatave të futbollit.
"Mes pesë kandidatëve që garojnë për kreun e FIFA-s, Infantino është më i njohur për europianët. Deri më tani, sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s i ka bazuar politikat e tij në kontaktet direkte me federatat, duke marrë mbështetjen e 48 prej tyre", shkruan "Eurosport". Më tej gjiganti mediatik zbulon edhe takimin e zhvilluar në Serbi të hënën e kaluar, në të cilën kanë marrë pjesë edhe drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit.
"Një publikim i shfaqur në uebsajtin zyrtar të Federatës Serbe të Futbollit dhe pas një mbledhjeje të mbajtur në Beograd me 13 federatat pjesëmarrëse, edhe Shqipëria, Bosnja, Bullgaria, Qipro, Maqedonia dhe Turqia, do t'i ofrojnë Infantinos mbështetjen e tyre", konfirmon më tej "Eurosport" në shkrimin kushtuar kandidatit për president të FIFA, Xhani Infantino. Ky i fundit është me profesion avokat, ndërkohë që ka lindur në Zvicër, por ka origjinë italiane. Që prej vitit 2009, Infantino mban postin e lartë, pikërisht atë të sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s.