Lukiç: Konsumoni shumë vaj, do lidhesha me një shqiptare
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Slavko Lukiç, mbrojtësi serb i Teutës, që ka fituar simpatinë e të gjithëve në Durrës, në një intervistë për "Panorama Sport" ka treguar Shqipërinë sipas syrit të tij.
Ai tregon aventurën shqiptare, por anashkalon deklaratat e presidenti Safet Gjicit, por nuk do të refuzonte të luante në Kukës, nëse do kishte ofertë.
Si është jeta e Slavko Lukiç në Durrës?
Durrësi është një qytet mjaft i bukur dhe kjo më bën të ndihem i lumtur që zgjodha këtë skuadër. Kam disa muaj këtu dhe e dashuroj këtë qytet, që ka vende të bukura për t'i parë e shijuar. Kam shumë njerëz të qetë dhe vajza të bukura. Nuk do të isha kundër nëse do të kisha një lidhje apo edhe më shumë me një vajzë shqiptare. Madje, do ta merrja në Beograd apo edhe vende të tjera ku mund të zhvilloja karrierën. Unë i respektoj shqiptarët dhe nuk e kam problem të kem një lidhje.
Me kë jetoni këtu dhe kush është miku më i mirë për ju?
Jetoj vetëm dhe më shumë shoqërohem me dy brazilianët dhe Lenën. Tani po jetoj futbollin dhe kam gjetur qetësi, por kam kontakte me lojtarë të tjerë të Superiore. Me Xhonatan dhe Jildemar flasim anglisht. Lena në shumë raste më ndihmon në stërvitje, kur nuk e kuptoj ushtrimin në anglisht, ai ma përkthen, pasi flasim të njëjtën gjuhë.
Në ekip ju thërrasin "brate", përse?
"Brate" në serbisht do të thotë vëlla. Në Shqipëri kam parë që fjala "vëlla" është shumë popullore dhe kështu më thërret i gjithë ekipi.
Çfarë ju bën përshtypje në Shqipëri?
(Qesh) Konsumimi i vajit. Këtu e konsumojnë të gjithë dhe çdo gjë bëhet me vaj, nuk kam parë ndonjëherë konsum kaq të madh.
Po marrëdhënia juaj me stafin, si është?
Nëse ka një njeri që është dhe trajner dhe prind, pra një person që i ka të gjitha, ai është Magani. Me këtë trajner mëson shumë. Pothuajse çdo ditë ka risi në stërvitje, duke mos i përsëritur skemat. Ndër gjërat që do më shërbejnë më shumë në karrierë, janë mësimet e Maganit. Realisht i meriton këto fjalë, ai për mua është trajneri më i mirë që kam bashkëpunuar deri tani.
Me tifozët e Teutës si shkoni?
Respekti i tifozëve për mua është i madh dhe anasjellas. Gjatë ndeshjeve apo dhe kur dal për kafe më përshëndesin. Edhe unë kam filluar të mësoj shqip dhe ua kthej në gjuhën shqipe dhe jo anglisht.
Për kë do të bënit tifo në Shqipëri po të mos ishit pjesë e Teutës?
Më argëton shumë Skënderbeu, ekip që ia vlen ta shohësh dhe ka pasur një ecuri shumë pozitive në Europë. Ndoshta edhe Kukësi, ka lojtarë të mirë. Korçarët janë një shkallë më lart se ekipet e tjera, për atë që arritën në Europë. Jam pjesë e Teutës dhe tifo bëj për këtë fanellë, kështu që dua të bëj më të mirën deri në përfundim të kontratës. Drejtuesit e Teutës më kanë krijuar një ambient familjar.
A ju prekën fjalët e presidentit Gjici?
Nuk jam i zemëruar me askënd, sepse jam profesionist. Unë do të jem gjithmonë gati, sa herë që të më kërkojë stafi, kjo ka rëndësi për mua. Kudo ku kam luajtur kam lënë gjurmë për mirë dhe këtë do përpiqem ta bëj edhe te Teuta. Nuk shikoj ç'thonë tifozët apo presidentët. Për mua Gjici është president tifoz, prandaj mund të jetë shprehur ashtu.
Pas fjalëve të Gjicit, po të kishit ofertë nga Kukësi, do të shkonit?
Jam profesionist dhe nuk shikoj të tilla gjëra, pra nuk i marr për bazë. Për sa i përket ofertës, nëse të do trajneri, "kurrë mos thuaj kurrë". U ka ndodhur futbollistëve të mëdhenj. Mjafton të përmendim Mihajloviç që sot është trajneri i Milanit, i cili më parë ishte ofenduar apo vërshëllyer si nga tifozët apo edhe presidenti. Jeton Rexhmati