Ndaj Skënderbeut/ Projektohet Jorgji, por Tirana se do
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
E shtuna pritet që të përcaktojë zyrtarisht gjyqtarët e ndeshjeve për javën e 22-të.
Skënderbeu -Tirana, e cila cilësohet si një nga përballjet më të rëndësishme, pritet që të ketë gjyqtar të FIFA-s. Por duket se te bardheblutë nuk janë të qetë, pasi kanë marrë sinjale që në Korçë mund të gjykojë Enea Jorgji.
Ky i fundit mësohet se është dënuar nga federata pas ndeshjes së kampionatit mes Kukësit dhe Teutës (2-2), madje në çerekfinalet që u luajtën në mesjavë ai mungoi, pasi ishte dënuar (ndaj nuk ishte caktuar në asnjë prej 4 ndeshjeve të luajtura).
Duke iu referuar edhe precedentëve në përballjet mes këtyre dy ekipeve dhe pikërisht ku kryesor ka qenë Jorgji, Tirana gjithnjë pa pasur pretendime, "frika" shtohet. Rasti i fundit përkon me fazën e dytë, kur u inaugurua "Selman Stërmasi".
Nga moviola rezultoi se ekipit të Dajës i ishte mohuar një penallti. Nisur nga kjo, kryeqytetasit nuk e duan Jorgjin, por hezitojnë që të ankohen hapur për një gjë të tillë, pas vendimit të prerë të Komitetit të Arbitrave që nuk do t'i marrë më në konsideratë kërkesat e klubeve për gjyqtarë të shpallur "non grata".
