Shqiperia nuk permiresohet, mundet pa lene shenje ne Hungari
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk ka arritur të bindë as përballë Hungarisë, në miqësoren e dytë të organizuar në këtë fund sezoni për të parë gjendjen e futbollistëve dhe për të provuar skema të reja. Më shumë se humbja minimale përballë hungarezëve, shqetësuese vazhdon të mbetet shterpësia në repartin e avancuar, ku Shqipëria krijon pak raste dhe e ka të vështirë t’i realizojë ato, ashtu si pak ditë më parë përballë Rumanisë. Humbja 1-0 në stadiumin “Ferenc Pushkash” ka mbyllur provat serioze të kombëtares shqiptare të futbollit, pasi miqësorja kundër San Marinos është më tepër një “nder” ndaj kësaj përfaqësueseje të vogël sesa një test i vërtetë për gjendjen e lojtarëve që ka grumbulluar De Biazi.
Rreshtimi i ri i përzgjedhur nga trajneri italian për sfidën përballë Hungarisë, ai 4-3-3 me Canën, Lilën e Agollin që nga mbrojtja zhvendoseshin në mesfushë dhe me Çikalleshin në sulm që mbështetej nga Rama e Gashi, në pjesën e parë dha disa sinjale pozitive. Në prapavijë, kuqezinjtë ishin thuajse të pakalueshëm, duke mbajtur larg kuadratit sulmuesit hungarezë Rudolf e Futaks, ndërsa Xhuxhak, lojtari më i rrezikshëm i ekipit vendas, nuk lihej asnjëherë i vetëm, duke mos arritur të vinte në vështirësi reale Berishën. Nga ana tjetër, me kalimin e minutave, krahët e mesfushës kuqezi filluan të funksiononin mirë, me dalje të shpeshta të dy mbrojtësve anësorë, Lenjani e Hysaj, të cilët dubloheshin lehtësisht nga mesfushorët. Edhe Gashi filloi të shfaqte pak nga loja me të cilën ka shkëlqyer në këtë sezon në kampionatin zviceran, duke kërkuar të hynte në zonë për të rritur rrezikshmërinë, por edhe duke tentuar portën me gjuajtjet nga jashtë zonës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Çikalleshin, i cili në momente të veçanta, krijoi panik në prapavijën kundërshtare me lëvizjet e tij. Por gjithçka mbeti në fazën e lëvizjeve me apo pa top, pasi Shqipëria krijoi shumë pak raste domethënëse për të shënuar, duke mos arritur t’i afrohej kuadratit të Rozsa. Nota më negative e fazës ofensive të skuadrës ishte përsëri Rama, i cili ashtu si në takimet e mëparshme bëri shumë pak për të justifikuar besimin e plotë që De Biazi ka vendosur mbi shpatullat e tij, duke e vlerësuar shpesh si një futbollist të pazëvendësueshëm.
Në pjesën e dytë, të dy trajnerët filluan të bënin ndryshime për të parë edhe lojtarët e tjerë që kishin në dispozicion, me ritmin e lojës që ra ndjeshëm. Aktivizimi i Kaçes, Kapllanit, Vajushit e Vilës bëri që rreshtimi i kuqezinjve të kthehej në 4-4-2 të mirëfilltë. Por De Biazit nuk iu dha mundësia ta shihte këtë rreshtim në veprim në kushtet optimale, pasi pak minuta pas ndryshimit të skemës, kuqezinjtë e panë veten në dizavantazh. Gjithçka ishte pasojë e një kontrolli në zonë të Priskin dhe pastaj një ndërhyrje të Kaçes, shumë i pasigurt në pak minutat që u aktivizua në pjesën e dytë, të cilën gjyqtari kryesor MekLoulin e vlerësoi si të parregullt duke akorduar penallti. Vetë Priskin, i aktivizuar si zëvendësues, goditi me saktësi nga pika e bardhë duke kaluar Berishën dhe duke i dhënë avantazhin Hungarisë. Reagimi i përfaqësueses shqiptare ishte i shpejtë, pasi zhvendosi lojën në mesfushën kundërshtare dhe iu afrua golit me predhën nga distanca të Agollit, që detyroi portierin Rozsa të bënte një devijim instinktiv për të shpëtuar kuadratin e tij. Por pavarësisht insistimit të kuqezinjve, rezultati nuk ndryshoi më, duke dekretuar fitoren e radhës së Hungarisë ndaj Shqipërisë, për më tepër, duke mbajtur në fuqi “tabunë” e mosrealizimit të golave në portën hungareze.
Hungari 1
82’ (p) Priskin
Shqipëri 0
Hungaria: Rozsa, Hefler, Liptak, Korhut (67’ Bosnjak), Lang, Patkai (55’ Vecsei), J. Varga, Stiber (63’ R. Varga), Xhuxhak (73’ Lovrencsiç), Rudolf (69’ Priskin), Futaks (46’ Kalmar).
Trajner: A. Pinter
Shqipëria: Berisha, Hysaj, Curri (65’ Kaçe), Mavraj, Lenjani, Lila (80’ Vila), Cana, Agolli, Gashi (66’ Kapllani), Rama (70’ Vajushi), Çikalleshi.
Trajner: Xh. De Biazi
KV: Lang, J. Varga, Kalmar
Gjyqtar: Pol MekLoulin (Irlandë)